Edhe pse i ndaluar nga BE-ja, televizioni Russia Today i Putinit hap një zyrë përfaqësuese në Serbi
Televizioni shtetëror rus Russia Today (RT) do të hapë zyrën e tij përfaqësuese në Serbi, raportojnë mediat serbe.
Bëhet fjalë për një stacion televiziv të ndaluar nga BE për “inkurajimin dhe mbështetjen e agresionit rus” kundër Ukrainës, njofton portali nova.rs.
Kryeredaktorja e portalit rus Sputnik Serbia, Ljubinka Milinçiq, konfirmoi se hapja e RT është në përgatitje.
"Po, është e saktë. Ai nuk do të fillojë të punojë në Serbi tani, por është duke u përgatitur", tha Milinçiq.
Në mars, Këshilli i BE-së pezulloi shpërndarjen mediatike të kanaleve shtetërore ruse RT dhe Sputnik në të gjithë territorin e Unionit dhe sanksionet - sipas raportimeve të mediave - mbulojnë të gjitha mjetet e transmetimit, si kabllot, satelitët, IPTV, platformat televizive, faqet e internetit dhe aplikacionet, dhe të pezulluara janë të gjitha licencat, autorizimet dhe marrëveshjet e shpërndarjes përkatëse.
Në Bruksel, ata vlerësuan se këto dy media janë instrumente të rëndësishme në "inkurajimin dhe mbështetjen e agresionit rus" kundër Ukrainës dhe se ato përfaqësojnë një "kërcënim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për rendin publik dhe sigurinë e BE-së".

Deputeti i Parlamentit Evropian Klemen Groshelj ka thënë për portalin Nova.rs se hapja e televizionit shtetëror rus RT në Serbi është “një tjetër tregues se Aleksandar Vuçiq po e largon vendin nga BE-ja”.
"Ky është një lajm i tmerrshëm për mua. Ai tregon se Vuçiq gjithnjë e më shumë po pushon së qeni një politikan pro-evropian dhe po bëhet e kundërta e kësaj. Fatkeqësisht, ky është realiteti që kemi në Serbi", thotë Groshelj.
Ai thotë se gjatë debatit të fundit në PE, disa deputetë kanë propozuar që raporti për Serbinë të bllokojë edhe negociatat për anëtarësim dhe mbështetjen financiare.
"Pas gjërave të tilla që dëgjoj, ndoshta do të intensifikohet në vjeshtë. Nëse situata në Ukrainë përkeqësohet më tej, sigurisht që do të ketë një thirrje zyrtare nga PE për të ngrirë negociatat dhe burimet financiare nga BE për Serbinë", tha Eurodeputeti slloven, duke theksuar se është shumë e vështirë të arsyetohet qëndrimi i Serbisë. /Nacionale/

