“E turpshme”: Izraeli reagon ashpër, pasi Trumpi e lavdëroi Hezbollahun dhe ia quajti budalla ministrin
Izraeli dhe Shtëpia e Bardhë i dënuan të enjten komentet e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë të cilave ai e lavdëroi grupin militant të përkrahur nga Irani, Hezbollah, dhe e kritikoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për reagimin ndaj sulmit të Hamasit në Izrael.
Trumpi, ish-president dhe kandidat favorit për ta siguruar nominin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në ShBA, e quajti “shumë të zgjuar” Hezbollahun, që është armik i përbetuar i Izraelit, dhe e akuzoi Netanyahun se nuk ishte i përgatitur për sulmin e Hamasit, gjatë të cilit janë vrarë edhe 22 shtetas amerikanë, raporton agjencia “Reuters”.
Ministri i Komunikimeve i Izraelit, Shlomo Karhi, tha se komentet e Trumpit para përkrahësve të tij dhe në një intervistë televizive të mërkurën në mbrëmje tregojnë se në të nuk mund të mbështetet.
“E turpshme që një burrë si ai, ish-president i ShBA-së, e nxit propagandën dhe shpërndan gjëra që e lëndojnë shpirtin e luftëtarëve të Izraelit dhe të qytetarëve të tij”- tha ministri Karhi në televizionin “Channel 13” të Izraelit.
Nënsekretari për Shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, i quajti “të rrezikshme e të sëmura” komentet e Trumpit.
“Është tërësisht e pakuptueshme pse ndonjë amerikan do të çmonte ndonjëherë një organizatë terroriste të mbështetur nga Irani si “të zgjuar”- tha Bates.
“Kjo është kohë që të gjithë ne të qëndrojmë krah për krah me Izraelin kundër së keqes së qartë. Kjo është ajo që presidenti (Biden) është duke e bërë”- shtoi zyrtari për shtyp.
Të enjten në mbrëmje, Trumpi lëshoi një deklaratë, duke thënë se nuk ka pasur “mik apo aleat më të mirë të Izraelit” se në kohën kur ai ka qenë president i ShBA-së.
