“Janë të zgjuar”: Trumpi e lavdëron Hezbollahun, ministrin izraelit e quan budalla - NACIONALE

“Janë të zgjuar”: Trumpi e lavdëron Hezbollahun, ministrin izraelit e quan budalla

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan dhe kandidati kryesor i Partisë Republikane për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në ShBA, Donald Trump, e ka lavdëruar grupin militant libanez, Hezbollah, e ka kritikuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërsa e ka quajtur budalla ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

“Flisni për inteligjencën ose flisni për disa gjëra që shkuan keq gjatë javës së kaluar, ata duhet ta qartësojnë këtë, sepse janë duke luftuar kundër një force potencialisht shumë të madhe. Ata po e luftojnë, potencialisht, Iranin”- tha ish-presidenti Trump, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Para dy netëve, lexova që të gjithë njerëzit e sigurisë të Bidenit (që) thanë: Shpresoj që Hezbollahu të mos e sulmojë (Izraelin) nga veriu, sepse ajo është pika më e ndjeshme”- shtoi ai.

“Unë thashë: Prit një minutë, Hezbollahu është shumë i zgjuar. Ata të gjithë janë shumë të zgjuar. Shtypit nuk i pëlqen kjo, kur e them. Thashë që presidenti Xi i Kinës – 1,4 miliard njerëz, e kontrollon me grusht të hekurt – thashë që ai është njeri shumë i zgjuar, ata (mediat) më vranë të nesërmen”- i vazhdoi komentet ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Duke e komentuar ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, Trumpi tha: “Ata kanë një ministër të mbrojtjes kombëtare ose dikë që thotë “Shpresoj që Hezbollahu nuk na sulmon nga veriu. Kështu, mëngjesin pasues, ata sulmuan... Nëse e dëgjoni këtë budalla, do të sulmonit nga veriu, sepse ai tha “kjo është pika jonë e dobët.”

Ai e kritikoi reagimin e Izraelit ndaj sulmit të befasishëm të Hamasit, duke vlerësuar se ky shtet nuk ishte i gatshëm. “Thoni çfarë të dëshironi, Izraeli nuk ishte gati. Kjo ishte një befasi e madhe. Ishte një gjë e tmerrshme që ndodhi. Ata s’ishin gati, por nëse doni që ata të sulmojn, sepse kanë një milion njerëz me armë dhe do t’i sulmoni si në ferr, atëherë ju e bëni saktësisht... por ata nuk e patën atë”- shtoi ish-presidenti Trump.

Trumpi e kritikoi edhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke ia përmendur rastin e vrasjes së komandantit të Forcave Kuds të Iranit, Qassem Soleimani, nga forcat amerikane më 2020.

Ish-presidenti amerikan e përsëriti pretendimin e tij se Netanyahu ishte tërhequr në momentin e fundit nga pjesëmarrja aktive në aksionin për vrasjen e oficeritë të lartë ushtarak të Iranit.

“Nuk do të harroj kurrë që Bibi Netanyahu na ktheu shpinën. Ajo ishte gjë shumë e tmerrshme. Ishim shumë të zhgënjyer, por e bëm punën vetë dhe ishte saktësi absolute, madhështore, punë e bukur. Pastaj Bibi u mundua që të merrte merita për të. Ajo nuk më bëri të ndihem shumë mirë, por në rregull është”- shtoi Trumpi.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme