“E paligjshme”: Guvernatori i Kalifornisë kërkon që Garda Kombëtare të tërhiqet nga Los Angelesi
Guvernatori i Kalifornisë së Shteteve të Bashkuara, Gavin Newsom, tha se ka kërkuar nga administrata e presidentit Donald Trump që ta tërheqë urdhrin për dislokimin e dy mijë pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në distriktin e Los Angelesit, duke e quajtur të paligjshëm këtë veprim.
Në një intervistë për mediumin MSNBC, guvernatori tha se planifikon që ta padisë administratën e Trumpit për dislokimin e Gardës Kombëtare në shtetin që ai e drejton, duke shtuar se Trumpi “i ka krijuar kushtet” në lidhje me protestat, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Newsom e akuzoi Trumpin se po mundohet që të prodhojë një krizë dhe për shkeljen e sovranitetit shtetëror të Kalifornisë. “Këto janë akte të një diktatori, jo të një presidenti” – shkroi ai në rrjetin X.
Megjithatë, komandanti lokal i policisë, Jim McDonnell, tha në një konferencë për gazetarë natën e së dielës se protestat po dilnin nga kontrolli.
Kur u pyet nëse kishte nevojë për praninë e Gardës Kombëtare, McDonnell tha se policia “nuk do të shkojë te kjo menjëherë”, por shtoi: “Duke e parë dhunën sonte, mendoj se duhet të bëjmë një rivlerësim.”
Përmes një shkrimi të publikuar në rrjete sociale, Trumpi i bëri thirrje komandantit lokal të policisë që të bënte një gjë të tillë. “Ai duhet ta bëjë këtë, mu tani!!! Mos i lejoni këta banditë që të shpëtojnë me këtë. Bëjeni Amerikën të madhe përsëri!” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë e vuri në pikëpyetje përshkrimin e guvernatorit të Kalifornisë për situatën, duke thënë në një deklaratë: “Të gjithë i panë kaosin, dhunën dhe mungesën e ligjshmërisë.”
Komanda Veriore e ushtrisë amerikane tha se 300 pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë ishin dislokuar në tri pika në zonën e Los Angelesit. Misioni i tyre ishte i kufizuar në mbrojtjen e personelit dhe pronave federale.
Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale të dielën, Trumpi i quajti protestuesit “turma të dhunshme, kryengritëse” dhe tha se po i udhëzonte zyrtarët e kabinetit të tij që “t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e tilla të nevojshme” për t’i ndaluar ato që i quajti “trazira”.
Duke folur para gazetarëve në New Jersey, presidenti amerikan kërcënoi me dhunë ndaj protestuesve që i pështyjnë policët ose trupat e Gardës Kombëtare, duke thënë: “Ata pështyjnë, ne godasim.”
FBI-ja ka ofruar 50 mijë dollarë shpërblim për ata që ofrojnë të dhëna rreth një të akuzuari të dyshuar për hedhje të gurëve drejt automjeteve të policisë në Paramount, duke lënduar një oficer federal./Nacionale