E pabesueshme: Mercedesi i vitit 1955 shitet për çmim rekord prej 135 milionë eurosh - NACIONALE

E pabesueshme: Mercedesi i vitit 1955 shitet për çmim rekord prej 135 milionë eurosh

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një veturë shumë e rrallë e prodhuesit të njohur gjerman, “Mercedes-Benz”, që është vetëm njëra nga dy të tilla që ekzistojnë ende, është shitur për një çmim të pabesueshëm prej 135 milionë eurosh, duke e bërë veturën më të shtrenjtë në botë.

Shtëpia e ankandeve për vetura klasike, “RM Sotheby”, në një deklaratë tha: “Një Mercedes-Benz 300 SLR Uhlenhaut Coupe i vitit 1955 i është shitur në ankand për një çmim rekord prej 135.000.000 € një koleksionuesi privat.”

Mercedesi u shit për një shumë që ishte pothuajse sa trefishi i rekordit të mëparshëm, të shënuar në vitin 2018, kur një veturë e tipit “Ferrari 250 GTO”, e vitit 1962, ishte shitur për më shumë se 48 milionë dollarë amerikanë, shkruan RTE, përkthen Gazeta Nacionale.

Shtëpia e ankandeve tha se ankandi, ku pjesëmarrës ishin vetëm ata që u janë dërguar ftesa, u zhvillua më 5 maj në Muzeun e Mercedes-Benzit në Shtutgart të Gjermanisë.

Vetura e shitur është njëra nga vetëm dy prototipet e prodhuara nga departamenti për vetura sportive i Mercedes-Benzit dhe emri i është vënë sipas dizajnerit dhe inxhinierit kryesor të saj, Rudolf Uhlenhaut.

Për të parë pamje nga procesi i ankandit dhe hollësi të dukjes së veturës së veçantë, mund ta shikoni këtë VIDEO.

Shtëpia e ankandeve tha: “Blerësi privat është pajtuar që vetura 300 SLR Uhlenhaut Coupe do të mbetet e qasshme për shfaqje publike në raste speciale, ndërsa origjinali i dytë i veturës 300 SLR Coupe mbetet në pronësi të kompanisë dhe do të vazhdojë të shfaqet në Muzeun e Mercedes-Benzit në Shtutgart.”

Sipas kësaj shtëpie të ankandeve, të ardhurat nga shitja e veturës do të përdoren për të themeluar një fond botëror të Mercedes-Benzit, i cili do të përdoret për financimin e shkencës mjedisore dhe hulumtimeve për dekarbonizim.

Lajme të ngjashme