E kapur mes Perëndimit dhe Rusisë, a mund të jetë Gjeorgjia Ukraina e ardhshme? - NACIONALE

E kapur mes Perëndimit dhe Rusisë, a mund të jetë Gjeorgjia Ukraina e ardhshme?

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Pasi parlamenti gjeorgjian miratoi një projektligj në bazë të së cilit organizatat dhe mediat që marrën fonde të huaja do të regjistrohen si “agjentë të huaj” dhe mund të gjobiten a dënohen me burg, në vend kanë shpërthyer protesta të mëdha.

Projektligji i fundit është konsideruar si një sërë ligjesh “drakoniane” të miratuara në Rusi dhe të dënuara nga grupet e të drejtave si një përpjekje për të kufizuar liritë themelore dhe për të goditur disidencën në vend.

Këto zhvillime të fundit kanë nxitur trazira masive më mijëra demonstrues të mbledhur jashtë ndërtesës së parlamentit të Tbilisit të martën në mbrëmje, të cilët jo vetëm që kanë valvitur flamurin gjeorgjian por edhe atë të Bashkimit Evropian.

Gjeorgjia një vend që ka fituar pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, ka luajtur prej kohësh një akt balancues midis ndjenjës pro-evropiane të qytetarëve të saj dhe synimeve gjeopolitike të fqinjit të saj të fuqishëm, Rusisë.

Në mars 2022, Gjeorgjia ishte ndër vendet që aplikoi për anëtarësim në BE – një ambicie që mund të rrezikohet nga legjislacioni i propozuar.

Kush është forca shtytëse e legjislacionit?

Projektligjet janë propozuar nominalisht nga një fraksion në parlament i formuar nga anëtarë të larguar nga partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane, por megjithatë me shumicë në parlament dhe projektligji ishte mbështetur edhe nga partia qeverisëse.

Lidhur më këtë çështje, ekspertë nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), kanë thënë se besojnë se partia po e udhëheq Gjeorgjinë drejt sferës së ndikimit të Rusisë.

Çfarë krahasimesh janë bërë me Ukrainën në vitin 2014?

Me zhvillimet e fundit, analistët kanë vënë re ngjashmëri mes situatës në Gjeorgji dhe Ukrainë – të dyja ish republika sovjetike të cilat e kanë gjetur veten të kapur mes Lindjes dhe Perëndimit.

Grupi i ekspertëve ECFR ka bërë krahasime midis situatës në Gjeorgji dhe pushtimeve të Rusisë në Ukrainë në 2014 dhe 2022.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev në vitin 2011 kishte thënë se nëse Rusia nuk do të kishte pushtuar Gjeorgjinë në vitin 2008, NATO do të ishte zgjeruar në Gjeorgji.

Kujtojmë se ky konflikt ishte i përqendruar në Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, dy provinca separatiste në Gjeorgji. E ndërsa aktualisht të dyja janë zyrtarisht pjesë e Gjeorgjisë, ato kanë qeveri të veçanta të panjohura nga shumica e vendeve dhe të dyja mbështeten nga Rusia.

EFCR ka shkruar se edhe pse pushtimi i Gjeorgjisë i vitit 2008 kishte zgjatur vetëm disa ditë, kishte të njejtat ambicie revanshiste që nxitën pushtimet e Putinit në Ukrainë në 2014 dhe vitin e kaluar.

Në raportin e publikuar nga ky grup thuhet se: “Në këtë dritë, luftërat e Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë duken pjesë e një projekti të vetëm perandorak”.

Si do të ndikojë legjislacioni në Gjeorgji?

Projektligji i Gjeorgjisë është kritikuar gjerësisht si një efekt potencialisht ftohës për shoqërinë civile gjeorgjiane, dhe veçanërisht OJQ-të dhe organizatat e lajmeve me lidhje me Evropën.

CNN shkruan se kjo do të pengonte gjithashtu përpjekjen e Gjeorgjisë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Ditën e martë edhe BE doli me një deklaratë ku paralajmëroi se ligji do të ishte "i papajtueshëm me vlerat dhe standardet e BE-së dhe mund të kishte pasoja serioze në marrëdhëniet" mes tyre.

Në muajin shkurt, edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA Ned Price, kishe thënë se "kushdo që voton për këtë projektligj mund të rrezikojë gjithashtu marrëdhëniet e Gjeorgjisë me Evropën dhe Perëndimin.”

Lajme të ngjashme