E çuditshme: Ukraina po përdor raketa të Koresë Veriore kundër rusëve, ku i mori? - NACIONALE

E çuditshme: Ukraina po përdor raketa të Koresë Veriore kundër rusëve, ku i mori?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtarët ukrainas janë parë duke përdorur raketa të Koresë Veriore, për të cilat thanë se ishin kapur nga një vend mik para se t’i jepeshin Ukrainës, raportoi të shtunën gazeta “The Financial Times”.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës la të kuptohej se këto armë ishin kapur nga rusët, përcjell agjencia “Reuters”, duke e cituar gazetën e njohur.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Korenë Veriore se i ka dhënë armë Rusisë, përfshirë transportimin e tyre përmes detit, por nuk kanë paraqitur dëshmi për këtë akuzë dhe armët e Koresë Veriore nuk janë parë gjerësisht në fushat e betejave në Ukrainë.

Rusia dhe Koreja Veriore mohojnë se kanë bërë qarkullim të armëve.

Armët e Koresë Veriore u shfaqën nga ushtarët ukrainas që po përdorin sisteme raketahedhëse të periudhës sovjetike, “Grad”, afër qytetit të shkatërruar, Bakhmut, thuhet në raportimin e gazetës “Financial Times”.

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, bëri një vizitë të rrallë në Penjan këtë javë për ta festuar 70-vjetorin e përfundimit të Luftës së Koresë. Kjo ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë rus të mbrojtjes që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

Gjatë vizitës, Shoigu u fotografua duke shikuar raketa të ndaluara balistike të Koresë Veriore bashkë me udhëheqësin e këtij shteti, Kim Jong Un, duke dhënë shenjë për marrëdhënie më të thella mes dy vendeve, përderisa ato ballafaqohen me Shtetet e Bashkuara.

Lajme të ngjashme