Kimi i Koresë Veriore ia tregon raketat ministrit të Putinit
Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, të mërkurën ia tregoi armët më të reja të vendit të tij ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu.
Penjani i kishte ftuar për vizitë delegacionin rus të udhëhequr nga Shoigu si dhe disa zyrtarë kinezë, raporton televizioni BBC.
Mysafirët do të marrin pjesë në shënimin e 70-vjetorit të armëpushimit në Luftën e Koresë, që zakonisht shënohet me parada masive ushtarake.
Në mesin e armëve që janë shfaqur me rastin e këtij përvjetori është edhe raketa balistike ndërkontinentale, “Hwasong”.
E testuar me sukses në prill, besohet se ajo është raketa e parë balistike ndërkontinentale me karburant të ngurtë në Korenë Veriore, veçori që e bën hedhjen e saj më të shpejtë se hedhja e raketave me karburant të lëngshme.
Vizita e delegacionit rus u zhvillua në kohën e akuzave se Penjani është duke e furnizuar Rusinë me armë që do të përdoren në luftën e Ukrainës. Sidoqoftë, kjo akuzë është mohuar nga të dyja vendet.
Mediat shtetërore në Korenë Veriore raportuan se Kimi dhe Shoigu diskutuan “çështje me interes të përbashkët” në fushat e mbrojtjes kombëtare dhe mjedisit të sigurisë ndërkombëtare.
Vizita e delegacioneve të Rusisë dhe Kinës në Kore Veriore pritet të përfundojë të enjten me një paradë të gjerë ushtarake. Koreja Veriore dhe Koreja Jugore teknikisht janë ende në luftë, sepse nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje të paqes pas përfundimit të luftës.
Rusia dhe Kina janë aleate të vjetra të Koresë Veriore. Vizita e delegacioneve të tyre e shënon herën e parë të hapjes së dyerve për mysafirë të huaj nga kreu i shtetit që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.
