“E bëra për Gazën”: Çfarë dihet deri më tani për vrasjen e dy izraelitëve në Uashington?
Dy pjesëtarë të stafit të ambasadës izraelite në Uashington të Shteteve të Bashkuara janë qëlluar për vdekje. Një i dyshuar është duke u intervistuar nga policia metropolitane dhe FBI-ja.
Zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Boningo, tha se të shtënat ndodhën afër Zyrës Fushore të FBI-së në Uashington dhe se pjesëtarët e kësaj agjencie reaguan menjëherë dhe ofruan ndihmë pas sulmit, raporton televizioni CNN.
I dyshuari u identifikua si Elias Rodriguez, 30 vjeç, nga Chicago. Ai brohoriti “Palestinë e lirë” gjatë mbajtjes në ndalim. Ai nuk ishte i njohur për policinë më parë. Policia thotë se beson që ai ishte sulmuesi i vetëm dhe nuk kishte rrezik aktiv në vendin e ngjarjes.
“Treguesit e hershëm janë se ky është një akt i dhunës së shënjestruar” – shkroi Boningo i FBI-së në rrjetin X.
Zyrtarë të Zyrës së Kryeprokurorit të ShBA-së janë në vendin e ngjarjes dhe FBI-ja po i analizon dëshmitë në Zyrën Fushore të FBI-së në Uashington, shtoi Boningo.
Zyrtarët izraelitë shprehën zemërim dhe ngushëllime pas të shtënave fatale në Uashington. Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendi i tij “do të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të njerëzve tanë dhe vlerave tona të përbashkëta” pas sulmit.
“Jam i shkatërruar nga skenat në Uashington. Ky është një akt i neveritshëm i urrejtjes, i antisemitizmit, i cili ua mori jetën dy punonjësve të rinj të ambasadës izraelite” – shkroi ai në rrjetin X.
Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gideon Sa’ar, tha se “Izraeli nuk do të dorëzohet para terrorizmit”.
“Lajm i tmerrshëm këtë mëngjes me sulmin shokues terrorist, në të cilin dy punonjës të ambasadës izraelite në Uashington u vranë” – shkroi kryediplomati izraelit në rrjetin X.
Horrified by this morning's terrorist attack, in which two of our Embassy staff in Washington D.C. were murdered.
— Gideon Sa'ar | גדעון סער (@gidonsaar) May 22, 2025
Israeli representatives around the world are constantly exposed to heightened risk - especially in these times.
We are in close contact with American authorities.…
Një dëshmitare, Sara Marinuzzi, i tha televizionit CNN se burri i akuzuar për vrasjen e çiftit të ri afër Muzeut Hebraik në Uashington të mërkurën në mbrëmje “pretendoi se ishte dëshmitar” dhe e priti policinë që të arrinte në vendin e ngjarjes për më shumë se dhjetë minuta, para se të pretendonte se “e bëra këtë për Gazën”.
Burri kërkoi madje nga sigurimi që ta telefononte policinë, tha Marinuzzi. Porsa arriti policia, dëshmitarja tha se burri e mori përgjegjësinë për krimin, duke thënë: “Unë e bëra këtë, e bëra për Gazën. Palestinë e lirë!”
Të dyja viktimat ishin duke udhëhequr një organizim që po mbahej në muze. Komitetit Hebraik Amerikan tha se e kishte organizuar ngjarjen atë mbrëmje në muze.
Një zyrtare e policisë lokale tha se i dyshuari ishte parë duke lëvizur afër muzeut para të shtënave. Më pas, ai iu afrua një grupi prej katër personave dhe hapi zjarr me pistoletë.
Ambasadori amerikan në Uashington tha se dy të vrarët ishin çift që planifikonin të fejoheshin./Nacionale