Dyshohet se Trumpi mund të ketë fshehur dokumente gjatë bastisjes së FBI-së
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, mund të ketë fshehur dokumente gjatë një bastisjeje nga FBI-ja në pronën e tij në qershor, thanë zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë.
Në një dokument gjykate, ky institucion tha se “me gjasë, janë bërë përpjekje për ta penguar hetimin e qeverisë”.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se agjentëve “u është ndaluar në mënyrë eksplicite” kërkimi në një depo të rezidencës “Mar-a-Lago” në Florida.
Të dhëna të tjera ka gjasë që “janë fshehur ose janë larguar” nga një depo, thanë zyrtarët.
Dokumenti me 54 faqe u publikua të martën, para një seance gjyqësore, që do të mbahet të enjten, shkruan BBC, përcjell Nacionale.
Shefi i kundërzbulimit i Departamentit të Drejtësisë, Jay Bratt, tha se FBI-ja ka arritur që të marrë disa dokumente të klasifikuara që ekipi i Trumpit nuk i kishte dorëzuar pavarësisht nga kërkesat e mëparshme.
“Që FBI-ja, brenda disa orëve, nxori dyfish më shumë dokumente me shenja klasifikuese se “kërkimi i zellshëm” për të cilin avokati i ish-presidentit dhe përfaqësuesit e tjerë kishin javë për ta kryer... hedh dyshim mbi gjerësinë e bashkëpunimit në këtë çështje”, tha ai.
Duke e përshkruar më tej bastisjen e qershorit, në dokument thuhet: “Në mënyrë kritike, megjithatë, avokati i ish-presidentit në mënyrë eksplicite ua ndaloi personelit qeveritar hapjen ose shikimin brenda ndonjërës kuti që kishte mbetur në depo, duke mos i dhënë mundësi qeverisë që të vërtetojë se nuk kanë mbetur dokumente me shenja klasifikuese.”
Pas vizitës në qershor, ekipet e FBI-së e bastisën pronën e ish-presidentit Trump përsëri në gusht.
Presidentët amerikanë duhet t’ia dorëzojnë të gjitha dokumentet dhe shkresat elektronike agjencisë së quajtur Arkivat Kombëtare. FBI-ja po heton nëse Trumpi i ka menaxhuar në mënyrë jo të duhur dokumentet duke i marrë ato nga Shtëpia e Bardhë e duke i dërguar në “Mar-a-Lago” pas largimit nga pushteti në janarin e vitit 2021.
Ish-presidenti ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje dhe ka thënë se dokumentet ishin të deklasifikuara. Ai ka paraqitur kërkesë që të njoftohet në mënyrë të hollësishme për dokumentet që i janë marrë në Florida dhe ka kërkuar nga autoritetet që t’ia kthejnë të gjitha dokumentet dhe gjësendet që nuk kanë qenë në fushën e bastisjes.
Sidoqoftë, Bratt tha se çdo dokument presidencial që është sekuestruar gjatë bastisjes, “i përket Shteteve të Bashkuara, jo ish-presidentit”.
Avokatët e Trumpit kanë kërkuar që të caktohet një zyrtar ligjor neutral për të vlerësuar nëse dosjet e sekuestruara mbulohen nga legjislacioni i privilegjit ekzekutiv, që ua lejon presidentëve mbajtjen e komunikimeve të caktuara “nën qilim”./Nacionale

