Dy të tretat e njerëzve në Sudan kanë nevojë të madhe për ndihma, thotë zyrtari i OKB-së
Dy nga tre njerëz në Sudanin e goditur nga lufta kanë nevojë të skajshme për ndihma, tha të mërkurën një zyrtar i Kombeve të Bashkuara.
Situata po bëhet “e tmerrshme për civilët”, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” shef për çështje humanitare dhe lehtësim në OKB, Tom Fletcher, përderisa grupet e ndihmave po ballafaqohen me vështirësi për t’u shpërndarë ndihma shumë të nevojshme komuniteteve.
“Qasja që na nevojitet është tepër e kufizuar nga konflikti” – tha ai gjatë një interviste përmes telefonit nga Darfuri.
Ushtria sudaneze dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë e filluan luftën në vitin 2023. Dy grupet dikur ishin aleate që supozohej ta mbikëqyrnin tranzicionin demokratik pas kryengritjes së vitit 2019.
Së paku 40 mijë njerëz janë vrarë nga luftimet, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa 12 milionë të tjerë janë zhvendosur. Megjithatë, grupet e ndihmave thonë se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë shumëfish më i lartë.
Një fluks i ri i personave të zhvendosur në rajonin e Darfurit i ka rënduar edhe më shumë kampet tashmë të stërngarkuara dhe burimet e kufizuara. Rajonet Darfur dhe Kordofan janë bërë epiqendra e luftimeve.
Organizata “Mjekët pa Kufij” tha të mërkurën se ekipet e saj kanë parë shkallë “tronditëse” të kequshqyerjes në mesin e atyre që janë larguar nga qyteti el-Fasher dhe kanë arritur në Tawila./Nacionale