Dorëhiqet këshilltari i Zelenskyt, pas deklaratave për sulmin rus që vrau mbi 40 persona - NACIONALE

Dorëhiqet këshilltari i Zelenskyt, pas deklaratave për sulmin rus që vrau mbi 40 persona

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych ka dhënë dorëheqje nga detyra, pasi u kritikua gjerësisht për deklaratën e tij se raketa ruse që vrau dhjetëra persona ishte rrëzuar nga Ukraina.

Ditën e shtunë, një raketë balistike ruse goditi një bllok apartamentesh në Dnipro, duke lënë të vrarë mbi 40 persona e dhjetëra të tjerë të zhdukur. Më pas këshilltari Oleksiy Arestovysh, kishte deklaruar se raketa ishte shpërthyer pasi ishte rrëzuar nga forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase.

“Raketa u rrëzua, ra në rrugë, shpërtheu kur ra”, - ishte shprehur ai për Feigin Live, duke shkaktuar kërkesa të shumta për shkarkimin e tij.

Duke e quajtur këtë deklaratë të tij të paverifikuar, qindra anëtarë ukrainas të shoqërisë civile dhe disa figura të shquara dolën në mediat sociale, duke kërkuar nga administrata presidenciale shkarkimin e Arestovych. Ata thanë se komentet e tij ndihmuan propagandën ruse, e cila shpesh i portretizon sulmet e saj si fajin e forcave të armatosura të Ukrainës.

Ndërkohë një deklaratë, e cila nuk adresoi drejtpërdrejt vërejtjet, forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës thanë se aktualisht nuk kanë aftësitë teknologjike për të zbuluar ose rrëzuar raketat balistike.

Arestovych kishte refuzuar të kërkojë falje për dy ditë radhazi, duke fajësuar lodhjen dhe duke deklaruar se ishte "një teori" e paraqitur nga një mik që ishte gjendur afër vendngjarjes. Megjithatë, ditën e martë ai publikoi një fotografi të dorëheqjes së tij, duke deklaruar se ishte "një shembull i sjelljes së civilizuar" në dritën e "gabimit të tij themelor".

Ish-aktori dhe politikani, Oleksiy Arestovysh, ishte emëruar si këshilltar i pavarur i administratës presidenciale në vitin 2020.

Lajme të ngjashme