Dorëheqja e Liz Truss, reagimet nga mediat e liderët botërorë
Me fokus në kohën e shkurtë të Liz Truss në detyrë si kryeministre e Britanisë, lajmi për dorëheqjen e saj ka nxitur reagime të shpejta nga liderët politikë e mediat në mbarë botën.
Midis politikanëve të huaj, presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se në një nivel personal, ai ishte gjithmonë "i trishtuar kur shihte një koleg të largohej, por se gjëja më e rëndësishme ishte që Britania të gjente stabilitet sa më shpejt të ishte e mundur.”
Ndërsa, në Shtëpinë e Bardhë, gazetarët pyetën presidentin amerikan Joe Biden nëse Truss kishte marrë vendimin e duhur. Ai u përgjigj se ishte vendimi i saj, duke shtuar se nuk donte të "peshonte mbi gjykimin e saj".
Kujtojmë se, në një deklaratë të mëparshme, Biden kishte thënë se marrëdhëniet e ngushta me Mbretërinë e Bashkuar do të vazhdonin, duke falënderuar Truss për partneritetin e saj "për një sërë çështjesh duke përfshirë mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për luftën e saj kundër Ukrainës".
Për mbështetjen e saj, Truss u falënderua edhe nga një deputet i Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, i cili iu drejtua me fjalët: "Ukraina nuk do t'ju harrojë kurrë!"
Megjithatë, dihet se për Truss kishte pak simpati nga Rusia, ku pas vendimit për dorëheqje ministria e Jashtme ruse tha se Britania, "kurrë nuk e kishte njohur një turp të tillë nga një kryeministre".
Përshkrimi nga mediat
Largimi i Truss u komentua edhe nga shumë media botërore, me Sydney Morning Herald, që tha se mandati i Truss ishte "zhytur në kaos financiar". Ndërsa, korrespondenti londinez i GloboNews të Brazilit e përshkroi situatën në Mbretërinë e Bashkuar si "turbulencë të plotë, kaos në të gjitha frontet, një qeveri në kujdes intensiv".
Në Argjentinë, La Nación përshkroi një "krizë në Britaninë e Madhe", kurse në Kinë, transmetuesi shtetëror CCTV tha se administrata e Truss dha "masat më të mëdha të uljes së taksave në 50 vjet, të cilat më vonë shkaktuan paqëndrueshmëri masive në tregun financiar dhe kundërshtim të fortë publik".
Al Arabya me bazë në Arabinë Saudite vuri në dukje "trazira" në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe në veçanti në Partinë Konservatore.
Le Figaro e Francës përshkroi "zbritjen në ferr" të Liz Truss. Aty shkruhej: “Ajo do të njihet si kryeministrja më jetëshkurtër në historinë bashkëkohore, me vetëm 44 ditë në detyrë, kohë gjatë së cilës thelloi vështirësitë ekonomike të miliona britanikëve, dobësoi imazhin e vendit të saj ndërkombëtarisht dhe varfëroi atë që kishte mbetur nga uniteti, në një parti konservatore të dobësuar pas 12 vjetësh në pushtet”.
Veçanërisht e prerë në analizë ishte gazeta spanjolle El Pais, duke shkruar se, “ajo ishte bërë një kryeministre pa përmbajtje, pa program për të mbrojtur, e paaftë për të komunikuar efektivisht punën e qeverisë dhe krejtësisht në kundërshtim me grupin e saj parlamentar”.
Ndërkohë në Gjermani, tabloidi Bild e përshkroi situatën si një "tërmet britanik".

