Dokumenti sekret: Ukraina ka kërkuar raketa me rreze të gjatë për sulme në Iran e Siri
Sipas një dokumenti sekret, që Kievi ua ka dërguar aleatëve perëndimorë, Ukraina ka apeluar që të furnizohet me raketa me rreze të gjatë për të kryer sulme në qendrat e prodhimit të dronëve në Rusi, Iran e Siri.
Në mesin e sugjerimeve për veprime nga aleatët perëndimorë të Ukrainës – për të cilat ata ndoshta do të ngurrojë – janë “sulmet raketore ndaj fabrikave të prodhimit të këtyre automjeteve ajrore pa pilotë në Iran, Siri, si dhe në një qendër potenciale të prodhimit në Federatën Ruse”, raporton gazeta “The Guardian”.
Në dokument shtohet: “Të lartpërmendurat (sulmet raketore) mund të kryhen nga forcat mbrojtëse ukrainase, nëse partnerët i ofrojnë mjetet e nevojshme të shkatërrimit.”
Aty nuk përmendet ndonjë sugjerim për shkelje nga kompanitë perëndimore që janë identifikuar si prodhuese të pjesëve të dronëve. “Prodhimi iranian i automjeteve fluturuese pa pilotë është adaptuar dhe kryesisht përdor pjesë të qasshme komerciale, furnizimi me të cilat është i kontrolluar dobët ose aspak”- thuhet në dokument.
Sipas raportit ukrainas, të dhënat e doganave tregojnë se “shumica e të gjitha importeve për në Iran e kanë prejardhjen nga Turqia, India, Kazakistani, Uzbekistani, Vietnami dhe Kosta-Rika”.
Bart Groothuis, deputet i Parlamentit Evropian dhe anëtar i nënkomisionit për siguri dhe mbrojtje, tha se ka pasur bashkërendim të pamjaftueshëm në mesin e shërbimeve të inteligjencës të BE-së për ta trajtuar keqpërdorimin e pjesëve perëndimore. “Mendoj se shumë agjenci evropiane të inteligjencës as që janë duke i shikuar sanksionet”- tha ai.
Në letrën dërguar vendeve të Grupit G7 thuhet se një laryshi e madhe e përbërësve të prodhuar nga kompanitë perëndimore janë gjetur në modelet e dronëve të rrëzuar.
Në një dron të tipit “Shahed-136” është gjetur një pompë karburanti e prodhuar në Poloni nga kompania gjermane, “TI Automotive Gmbh”, ndërsa në të është gjetur edhe një mikro-kontrollues me pjesë të prodhuara nga kompania zvicerane, “STMicroelectronics”.
