Dokumenti sekret ukrainas: Dronët iranianë kishin pjesë amerikane e gjermane
Dronët kamikazë iranianë, që janë përdorur në sulmet më të reja kundër qyteteve ukrainase, janë të mbushura me pjesë të prodhuara në Evropë, sipas një dokumenti sekret, të cilin Ukraina ua ka dërguar aleatëve perëndimorë.
Në një dokument me 47 faqe, dërguar qeverive të vendeve të Grupit G7 në gusht nga Qeveria Ukrainase, pretendohet se mbi 600 sulme ndaj qyteteve ukrainase kanë ndodhur në tre muajt e kaluar përmes përdorimit të dronëve që përmbanin teknologji perëndimore, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas raportimit të siguruar nga gazeta “The Guardian”, 52 përbërës elektrikë të prodhuar nga kompani perëndimore janë gjetur në dronin e tipit “Shahed-131”, ndërsa 57 sosh në modelin “Shahed-136”, i cili ka rreze fluturimi prej dy mijë kilometrash e shpejtësi prej 180 kilometrash në orë.
Pesë kompani evropiane, përfshirë një filial polak të një kompanie shumëkombëshe britanike, përmenden si prodhues origjinalë të pjesëve të identifikuara të dronëve.
“Në mesin e prodhuesve janë kompani me seli qendrore në shtetet e koalicionit të sanksioneve: Shtetet e Bashkuara, Zvicër, Holandë, Gjermani, Kanada, Japoni e Poloni”- pretendohet në dokument.
Sipas raportit, Irani tashmë e ka diversifikuar prodhimin përmes shfrytëzimit të një fabrike siriane në portin e Novorossiysk-ut, por se prodhimi i dronëve po shkon në Rusi, në rajonin qendror të Alabuga-s, edhe pse Teherani vazhdon që ta ofrojë furnizimin me pjesë.
Në dokument thuhet se Qeveria e Iranit po mundohet që “ta shkëpusë veten nga furnizimi i Rusisë me armë” dhe se “nuk mund ta përballojë kërkesën ruse dhe intensitetin e përdorimit në Ukrainë”.
Më tutje, në dokument sugjerohet që të ndërmerren masa nga aleatët, duke i mundësuar Ukrainës “sulme me raketa në fabrikat e prodhimit të këtyre automjeteve ajrore pa pilotë në Iran, Siri si dhe në një vend të mundshëm të prodhimit në Federatën Ruse”.
“Të sipërpërmendurat (sulmet me raketa) mund të kryhen nga forcat ukrainase të mbrojtjes, nëse partnerët i ofrojnë mjetet e nevojshme të shkatërrimit”- thuhet në dokument.
