Dokumentet sekrete, FBI kontrollon shtëpinë e dytë të Biden në Delaware - NACIONALE

Dokumentet sekrete, FBI kontrollon shtëpinë e dytë të Biden në Delaware

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Avokati i presidentit amerikan Joe Biden, ka njoftuar se si pjesë e hetimit për dokumentet sekrete, FBI është duke kontrolluar shtëpinë e dytë të Biden në Rehoboth, Delaware.

Në një deklaratë të dhënë, avokati i Biden tha se kërkimi ishte "planifikuar" me "mbështetjen e plotë" të presidentit.

Sipas raportimit të CBS, kontrolli në pronën e presidentit ka të bëjë me një hetim të gjerë në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.

Kujtojmë se deri më tani në pronat e Biden janë zbuluar katër herë dokumente sekrete, nga koha e tij si zëvendëspresident gjatë epokës Obama.

E kontrolli i shtëpive të Biden, edhe pse vullnetar, shënon një përshkallëzim të hetimit për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga presidenti dhe në mënyrë të pashmangshme do të bëjë krahasime me paraardhësin e tij, ish-presidentin Donald Trump – edhe nëse kontrolli i FBI-së në rezidencën e Trump është kryer në rrethana të ndryshme.

Kujtojmë se pesë muaj më parë, FBI mori një urdhër kontrolli për të kontrolluar rezidencën e Trump në Florida, Mar-a-Lago, një hap i paprecedentë që u ndërmor për shkak se hetuesit federalë kishin prova që sugjeronin se Trump nuk i kishte dorëzuar të gjitha materialet e klasifikuara në posedim.

Avokati i emëruar nga Trump, këshilltar special në hetimin për Biden

Për të hetuar mbi dokumentet sekrete të zbuluara deri më tani në pronat e Biden, Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-së, Merrick Garland, ka emëruar si këshilltar special Robert Hur, një ish-prokuror federal i emëruar nga Trump dhe ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë.

Sipas raportimeve, vendimi për emërimin e tij ishte marrë nga Garland në mënyrë që të parandalohen akuzat e mundshme për konflikte politike apo ndërhyrje.

Është bërë e ditur se Hur do të jetë përgjegjës për hetimin e lëvizjes dhe mbajtjes së mundshme të paautorizuar të dokumenteve sekrete në shtëpinë e Biden, si dhe do të ketë autoritetin për të ndjekur penalisht çdo krim që mund të rezultojë nga hetimi.

Kujtojmë se, presidenti Joe Biden tani do të përballet me një hetim të posaçëm, ndërsa ky zhvillim, është mjaft i rëndësishëm dhe mund të jetë pengesë e rrezikshme për presidencën e tij, e marrë parasysh edhe afrimin e ciklit zgjedhor.

A mund të akuzohet Biden?

Akuzimi ose jo i Biden, varet nga faktet dhe koha. Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë bllokojnë prokurorët federalë që të padisin një president në detyrë. Prandaj, edhe nëse Hur arrin në përfundimin se Biden ka shkelur ligjin, ai nuk mund ta akuzojë Bidenin ndërsa ky i fundit është ende në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, nëse hetimi zvarritet deri pas zgjedhjeve presidenciale të 2024 dhe Biden humb zgjedhjet, teorikisht, me përfundimin se ai ka shkelur ligjin, Hur mund ta padisë Biden në vitin 2025.

Lajme të ngjashme