FBI zbulon sërish dokumente sekrete në shtëpinë e Joe Biden
Hetuesit e FBI-së kanë gjetur sërish materiale shtesë të klasifikuara, ndërsa po kryenin një kontrollë në shtëpinë e presidentit amerikan Joe Biden, në Delaware.
Zbulmi i dokumenteve të fundit është njoftuar nga avokati personal i presidentit, Bob Bauer, i cili në një deklaratë të dhënë tha se gjatë kontrollit, i cili u zhvillua për gati 13 orë të premten, "DD mori në posedim materiale që i konsideronte brenda fushës së hetimit, duke përfshirë gjashtë artikuj që përbëheshin nga dokumente me shenja klasifikimi dhe materialet përreth, disa prej të cilave ishin nga shërbimi i Presidentit në Senat dhe disa prej të cilave ishin nga mandati i tij si Zëvendës President.”
Është bërë e ditur po ashtu se janë marrë nën shqyrtim edhe shënime të shkruara me dorë personalisht nga Biden, gjatë kohës së tij si zëvëndëspresident.
Gjashtë artikujt e fundit të zbuluar janë si shtesë e materialeve të gjetura më parë në rezidencën e Biden Wilmington dhe në zyrën e tij private.
Kontrolli federal i shtëpisë së Biden, edhe pse vullnetar, shënon një përshkallëzim të hetimit për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga presidenti dhe në mënyrë të pashmangshme do të bëjë krahasime me paraardhësin e tij, ish-presidentin Donald Trump – edhe nëse kontrolli i FBI-së në rezidencën e Trump është kryer në rrethana të ndryshme.
Kujtojmë se pesë muaj më parë, FBI mori një urdhër kontrolli për të kontrolluar rezidencën e Trump në Florida, Mar-a-Lago, një hap i paprecedentë që u ndërmor për shkak se hetuesit federalë kishin prova që sugjeronin se Trump nuk i kishte dorëzuar të gjitha materialet e klasifikuara në posedim.
Kërkimet e fundit tregojnë se hetuesit federal janë duke ecur me shpejtësi përpara ndaj dokumenteve të klasifikuara në zotërim të Biden.

