Djathtisti ekstrem pro-rus Georgescu prin në sondazh në Rumani edhe para zgjedhjeve të majit - NACIONALE

Djathtisti ekstrem pro-rus Georgescu prin në sondazh në Rumani edhe para zgjedhjeve të majit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kandidati pro-rus i së djathtës ekstreme për president të Rumanisë, Calin Georgescu, mbetet i parapëlqyeri i votuesve para rivotimit të caktuar për muajin maj pas anulimit të zgjedhjeve vitin e kaluar, sipas një sondazhi të publikuar të hënën.

Sondazhi doli një muaj pasi gjykata më e lartë rumune i anuloi zgjedhjet presidenciale në të cilat Georgescu ishte favorit vetëm dy ditë para mbajtjes së balotazhit, duke cituar dyshime për ndërhyrje ruse në favorin e tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Anulimi i zgjedhjeve u bë pasi në dokumente shtetërore tregohej se Georgescu, kritikues i NATO-s që i ka çmuar udhëheqësit fashistë rumunë të viteve të tridhjeta, kishte përfituar nga një fushatë e padrejtë në rrjete sociale që me gjasë ishte orkestruar nga Rusia, akuza që Moska i ka mohuar.

I zhvilluar nga kompania e sondazheve “Avangarde” dhe i cituar nga uebfaqja e lajmeve “hotneës.ro”, sondazhi tregoi se Georgescu do të marrë 38 për qind të votave në rundin e parë më 4 maj.

Crin Antonescu, kandidati i vetëm i propozuar i koalicionit qeveritar pro-evropian do të marrë 25 për qind të votave, sipas sondazhit, pasuar nga kryetari i Bukureshtit, Nicusor Dan, me 17 për qind, i cili ka thënë se mund të garojë si kandidat i pavarur.

Elena Lasconi, kryetare e partisë opozitare, Unioni për Shpëtimin e Rumanisë, do të marrë 6 për qind të votave, sipas rezultateve të sondazhit.

Në sondazh morën pjesë 1.354 persona nga data 10 deri më 16 janar dhe ka margjinë gabimi prej 2,6 për qind./Nacionale

Lajme të ngjashme