Disa të armatosur vrasin të paktën 25 njerëz në dy fshatra të Nigerisë
Të paktën 25 njerëz u vranë dhe disa shtëpi u dogjën, pasi disa persona të armatosur sulmuan dy fshatra të martën vonë në shtetin verilindor nigerian, Adamawa, thanë të mërkurën banorët dhe guvernatori shtetëror.
Sulmuesit i goditën fshatrat Kirchiga në distriktin Madagali dhe Garaha në distriktin Hong, të cilat shtrihen në skajin e Malit Sambisa, ku operojnë grupet Boko Haram dhe Provinca e Afrikës Perëndimore e Shtetit Islamik, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sulmi i dyfishtë e vë në pah pasigurinë e vazhdueshme në pjesën verilindore të Nigerisë, epiqendër e një kryengritjeje 17-vjeçare islamike, pavarësisht fushatave ushtarake që kanë zgjatur me vite.
Abubakar Lawan Kanuri, kryetar i fshatit Kirchinga, i tha agjencisë “Reuters” se sulmuesit arritën të martën në mbrëmje të veshur në uniforma ushtarake, duke i shtyrë banorët që fillimisht të besonin se ata ishin ushtarë që po patrullonin. Ai tha se 18 trupa u tërhoqën pas sulmit të të armatosurve.
Në Garaha, shtatë njerëz u vranë, kur të armatosurit që erdhën me mbi 50 motoçikleta e goditën fshatin dhe sulmuan një bazë ushtarake afër tij, tha banori Musa Isa, i cili tha se ia doli të ikte për pak.
Ata avancuan nga disa drejtime dhe e goditën bazën ushtarake, duke vrarë tre ushtarë. Tre banorë që po iknin u qëlluan dhe një shkollë gjithashtu u dogj. Shumë banorë të fshatit tashmë kanë ikur dhe janë vendosur në qytezën Mubi, tha Isa.