Diplomati amerikan thotë se Trumpi do ta thërrasë Putinin për fundin e luftës në Ukrainë
Diplomati amerikan, Kurt Volker, ish-negociator i ShBA-së për konfliktin Rusi – Ukrainë, ka thënë se presidenti i porsazgjedhur, Donald Trump, dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë para se ai të inaugurohet në Shtëpinë e Bardhë, por se suksesi do të varet nga qëndrimi i ashpër ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, që do të shtrojë kërkesa.
Volkeri është person me përvojë të pasur në çështjet me të cilat Trumpi pritet të ballafaqohet sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, raporton mediumi ukrainas, “Kyiv Independent”.
Ai ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për bisedimet e Ukrainës në periudhën 2017 – 2019, gjatë mandatit të parë të Trumpit. Në rolin e tij, ai kishte zhvilluar bisedime mes Kievit dhe anëtarëve të lartë të administratës së Putinit si ndërmjetës, përderisa ishte bashkërenduar me aleatë evropianë në përpjekjet për t’i dhënë fund pushtimit fillestar të Donbasit më 2014, pas pushtimit të Gadishullit të Krimesë më herët atë vit.
Para kësaj pozite, Volkeri ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO në vitet 2008 dhe 2009.
Mediumi “Kyiv Independent” bisedoi me diplomatin amerikan përmes video-lidhjes disa orë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në ShBA për ta pyetur se çfarë mund të sjellë ardhja e Trumpit në pushtet për Ukrainën.
“Mendoj se ai do të bëjë një telefonatë me Putinin sa më shpejt që është e mundshme dhe do t’i thotë Putinit se ai duhet ta ndalë luftën, se luftimet duhet të ndalen dhe se duhet të ketë paqe. Kjo do të fillojë një diskutim për atë se si ndodh kjo në të vërtetë. Ajo që unë pres të ndodhë është që Putini do të ketë kërkesa” – tha diplomati amerikan.
“Putini do të thotë: mua më duhet kjo, kjo, kjo. Unë mendoj se Trumpi do të thotë: Jo, ti e ndal luftën. Por mendoj se kjo ndodh goxha shpejt, nuk mendoj që Trumpi dëshiron këtë luftë duke vazhduar porsa të jetë vërtet në zyrë” – shtoi ai.
Kur u pyet se sa mashtrues mund të jetë Putini në aspektin e arritjes së një marrëveshjeje, Volkeri tha: “Mendoj se Putini është kundërshtari më dinak dhe finok që mund ta keni, sepse ai s’i ka problem gënjeshtrat, mashtrimin, sulmin, vrasjen – gjithçka që mund të imagjinoni. Interesi i Putinit nuk është një marrëveshje. Interesi i tij është që të marrë, ai dëshiron ta marrë tërë Ukrainën.”
Më tutje, diplomati tregoi se çfarë do të nevojitet për ta ndalur luftën e për ta arritur paqes, sipas këndvështrimit të tij.
“Prandaj, nëse dëshironi që ta ndalni luftën, nëse doni paqe, siç Trumpi thotë se do, atëherë ajo që duhet të bëni është që Putini të bindet se do të lëndohet, se do t’i kushtojë tepër shumë, nëse e vazhdon luftën dhe për këtë do të nevojitet që të shfaqet më shumë fuqi” – tha ai.
“Trumpi ka folur për këtë. Ai e përshkruan Bidenin si president shumë të dobët. Ndërlikimi është që Trumpi e sheh veten si president të fortë. Atij do t’i nevojitet shfaqja e ca fuqie para Putinit për ta bërë Putinin që të vendosë se është koha për t’i dhënë fund luftës” – vlerësoi diplomati me përvojë./Nacionale