"Dinosaurët janë ushqyer me gjitarë", shkencëtarët thonë se kanë zbuluar provën e parë
Sipas një studimi në Journal of Vertebrate Paleontology, paleontologët thonë se kanë identifikuar një këmbë të gjitarit me madhësi miu në kafazin e kraharorit të fosilizuar të një mikroraptori grabitqar.
Nga ky studim shkencëtarët besojnë se ata kanë zbuluar incidentin e parë të një gjitari i cili është ngrënë nga një dinosaur. Megjithatë, sipas studimit fosilet nga 120 milion vjet më parë që janë zbuluar në krahërorin e dinosaurit të vogël me pendë, të njohur si mikroraptor, nuk janë të një paraardhësi njerëzor, por përkundrazi, ato duken të jenë këmba e një kafshe.
Sipas The Guardian, paleontologët kanë thënë se gjetjet e tyre, të publikuara në Journal of Vertebrate Paleontology, janë "prova e parë e një dinosauri që ha një gjitar".
Autori i studimit, Dr David Hone nga Universiteti Queen Mary i Londrës, ka thënë: "Është kaq e rrallë të gjesh shembuj të ushqimit brenda dinosaurëve, kështu që çdo shembull është me të vërtetë i rëndësishëm pasi jep prova të drejtpërdrejta të asaj me të cilën ata janë ushqyer.”
“Ndërsa ky gjitar nuk do të kishte qenë absolutisht një paraardhës i njeriut, ne mund të shikojmë prapa tek disa nga të afërmit tanë të lashtë, duke qenë një vakt për dinosaurët e uritur,” ka shtuar ai.
Ai më tej ka thënë se, "ky studim përshkruan një pamje të një momenti magjepsës në kohë - regjistrimi i parë i një dinosauri që ha një gjitar - edhe nëse nuk është aq i frikshëm sa çdo gjë tjetër në Jurassic Park."
Dihet se mikroraptorët kanë jetuar në pyjet e lashta të asaj që sot njihet si Kinë, diku midis 125 dhe 113 milionë vjet më parë. E ndërsa këto kafshë kanë lëvizur në dy këmbë, ekspertët besojnë se disa nga to mund të kenë qenë të afta edhe për fluturim direkt. Sipas të dhënave, mikroraptorët kanë pasur madhësinë e sorrave apo maceve të vogla dhe kanë lëvizur nga pema në pemë.
Shembulli i treguar në studimin e fundit, është përshkruar për herë të parë para 20 vitesh, megjithate studiuesit thonë se ekipi i mëparshëm nuk kishte arritur të shohë mbetjet e një kafshe tjetër brenda dinosaurit.
Sipas analizave të deritanishme, sugjerohet se gjitari brenda dinosaurit ishte një mi që jetonte në tokë. Ndërsa, hulumtime të mëparshme kanë treguar edhe fosile të tjera mikroraptore me ushqime të ruajtura jo-gjitarësh në stomakun e tyre, të tilla si zog, hardhucë ose peshk.

