Dimri më i ashpër në gjysmë shekulli në Mongoli thuhet se mbyti mbi 4,7 milionë kafshë
Mongolia po ballafaqohet me dimrin më të ashpër në gjysmë shekulli. Kushtet ekstreme të motit e kanë shkaktuar ngordhjen e mbi 4,7 milionë kafshëve dhe po i rrezikojnë jetesën dhe furnizimin me ushqim të mijëra njerëzve, ka paralajmëruar Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq.
Kushtet e vështira karakterizohen nga temperaturat e ulëta si dhe bora e akulli i trashë që i mbulojnë kullosat dhe e ndërpresin qasjen në ushqimin për kafshë, raporton televizioni CNN.
Rreth 300 mijë njerëz në Mongoli janë barinj shtegtues tradicionalë dhe varen nga gjedhet, dhitë e kuajt për ushqim e për t’i shitur në treg.
“Për ata njerëz që janë tërësisht të varur nga bagëtia e tyre për të mbijetuar, ata janë bërë të varfër për vetëm disa muaj” – tha të enjten Alexander Matheou, drejtor rajonal i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq për Azi e Paqësor. “Disa prej tyre tash nuk munden më që ta ushqejnë veten ose t’i ngrohin shtëpitë e tyre” – shtoi ai.
Nga nëntori, të paktën 2 mijë e 250 familje të barinjve kanë humbur më shumë se 70 për qind të bagëtisë, ndërsa më shumë se shtatë mijë familjeve tani u mungon qasja në ushqim adekuat, sipas kësaj federate.
Acari i ka prekur dy të tretat e shtetit të madh aziatik, por kushtet pritet që të përkeqësohen, përderisa dimri vazhdon.
“Tani është pranverë, por dimri po zvarritet në Mongoli, ende ka borë në terren dhe gjedhet ende po ngordhin” – tha Matheou.
Qeveria e Mongolisë muajin e kaluar shpalli gjendje të gatishmërisë së rritur që do të zgjasë deri më 15 maj, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq të martën lëshoi një apel për fonde për ta lehtësuar vuajtjen e njerëzve që kanë mbetur pa mënyrat e jetesës.
“Edhe me nivel të lartë të gatishmërisë, që ka qenë në Mongoli këtë vit e viteve të kaluara, ai nuk është adekuat për t’u ballafaquar me ekstremin e kushteve. Ne kemi bërë shumë përgatitje dhe shkalla e tij prapëseprapë na zuri në befasi” – tha Matheou.
Acari dimëror ka shkaktuar pasoja shkatërruese ekonomike për barinjtë si dhe pengesa në udhëtime, tregti e qasje në kujdes shëndetësor dhe arsim për shumë banorë të Mongolisë, sidomos për ata që jetojnë në zona rurale, pasi bora e ka bllokuar qasjen në rrugë.