Deputetja gjermane kërkon falje pas komenteve rreth ngjyrës së lëkurës së lojtarëve
Një politikane me pozitë të lartë në Gjermani ka kërkuar falje për mënyrën se si e kishte shkruar një koment për ngjyrën e lëkurës së lojtarëve të ekipit kombëtar, në të cilin ajo i lavdëroi futbollistët dhe pyeti se si do të ishte nëse në ekip do të kishte vetëm “lojtarë të bardhë”.
Deputetja e të Gjelbërve, Katrin Goring-Eckardt, e cila gjithashtu është nënkryetare e kuvendit federal gjerman, dukej se po i referohej një ankete të zhvilluar rishtazi, sipas së cilës 21 për qind e pjesëmarrësve do të donin që të shihnin më shumë “lojtarë të bardhë” në ekipin e Gjermanisë, raporton televizioni BBC.
“Ky ekip është vërtet i jashtëzakonshëm. Vetëm imagjinoni nëse do të kishte vetëm lojtarë të bardhë gjermanë” – shkroi ajo pas fitores së Gjermanisë kundër Hungarisë në kampionatin evropian të futbollit, EURO2024. Ajo gjithashtu publikoi tri figura të vogla të ylberit.
Megjithatë, pas kritikave që i mori në rrjete sociale, përfshirë ato nga kolegët deputetë, Goring-Eckardt e fshiu shkrimin dhe kërkoi falje për mënyrën se si ai ishte hartuar.
Më vonë, ajo shkroi në rrjetin X për të dhënë shpjegime. “U shqetësova që 21 për qind e gjermanëve do të preferonin që të kishte më shumë “të bardhë” në ekipin kombëtar” – shkroi deputetja.
“Unë jam krenare me këtë ekip dhe shpresoj se mund ta bindim edhe 21-përqindëshin” – shtoi ajo.
Disa e akuzuan deputeten për racizëm, edhe pse ajo po e çmonte diversitetin e ekipit.