ShBA-ja njofton dy miliardë dollarë asistencë ushtarake për Evropën, përfshihet Kosova - NACIONALE

ShBA-ja njofton dy miliardë dollarë asistencë ushtarake për Evropën, përfshihet Kosova

4 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, të enjten e vizitoi pa paralajmërim Kievin, ndërsa administrata e presidentit Biden njoftoi për më shumë se 2 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën dhe vendet e tjera të kërcënuara nga Rusia.

Associated Press

Në takimet me zyrtarët e lartë Ukrainës, kryediplomati amerikan tha se administrata e Bidenit e ka njoftuar Kongresin për synimin që t’u ofrojë financim afatgjatë ushtarak Ukrainës dhe 18 fqinjëve të saj, përfshirë anëtarët e NATO-s dhe partnerët e sigurisë, që “janë potencialisht më të rrezikuarit nga agresioni i ardhshëm rus”.

Në pritje të miratimit nga Kongresi, rreth një miliard dollarë ndihma do të ndahen për Ukrainën, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet mes Shqipërisë, Bosnjës, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, tha Departamenti i Shtetit.

“Kjo asistencë e demonstron përsëri përkushtimin tonë të palëkundur ndaj të ardhmes së Ukrainës si shtet demokratik, sovran dhe i pavarur, si dhe ndaj sigurisë së aleatëve dhe partnerëve në mbarë rajonin”, thuhet në deklaratë.

Përmes financimit të jashtëm ushtarak u mundësohet vendeve që të blejnë pajisje të mbrojtjes, shpesh varësisht nga nevojat e tyre specifike, shkruan agjencia “Associated Press”.

Ndërkohë sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha të enjten se presidenti amerikan, Joe Biden, ka miratuar ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën me vlerë deri në 675 milionë dollarë.

Zyrtari i lartë amerikan tha në fillim të takimit me homologë nga vendet aleate në bazën ajrore “Ramstein” në Gjermani se Bideni e miratoi pakon më të re të ndihmave të mërkurën, shkruan “Associated Press”.

Austin tha se në pakon e re përfshihen obusë, municion i artilerisë, autoambulanca të blinduara, sisteme kundër armëve e pjesë të tjera.

“Lufta është në një moment tjetër kyç”, tha sekretari amerikan, kur forcat ukrainase kanë nisur një kundërsulm në jug të vendit. “Tash po e shohim suksesin e demonstrueshëm të përpjekjeve tona të përbashkëta në fushëbetejë”, shtoi ai.

“Fytyra e luftës është duke ndryshuar dhe po ndryshon edhe misioni i këtij grupi të kontaktit”, tha më tej Austin në takimin e Grupit të Kontaktit të NATO-s për Mbrojtjen e Ukrainës, ku mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg./Nacionale

Lajme të ngjashme