Dënohet me burgim të gjatë ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan - NACIONALE

Dënohet me burgim të gjatë ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë pakistaneze e dënoi të premten me 14 vjet burgim për një rast korrupsioni ish-kryeministrin Imran Khan, raportoi televizioni lokal, “ARY News”.

Vendimi për këtë rast, më i madhi në aspektin e shkeljeve financiare me të cilin është ballafaquar Khani, u dha nga një gjykatë kundër ryshfetit në një burg në qytetin Rawalpindi, ku Khani është burgosur nga gushti i vitit 2023, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ndaj politikanit 72-vjeçar, ish-yll i kriketit, ishte ngritur akuza se ai me bashkëshorten kishin marrë tokë dhuratë nga një zhvillues i patundshmërive gjatë mandatit të tij si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022 në këmbim të favoreve ilegale.

Khani dhe bashkëshortja e tij ishin deklaruar të pafajshëm. Njoftimi i vendimit ishte shtyrë tri herë, më së voni të hënën, në kohën e diskutimeve mes partisë së Khanit dhe Qeverisë së Pakistanit.

Vendimi i gjykatës është hapi më i madh prapa për Khanin dhe partinë e tij pas një rezultati befasisht të mirë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, kur kandidatët e saj - të cilët u detyruan të garonin si të pavarur – fituan më së shumti ulëse, por nuk e arritën shumicën e nevojshme për ta formuar qeverinë.

Në burg që nga gushti i vitit 2023, Khani ka qenë duke u ballafaquar me dhjetëra raste gjyqësore, nga akuzat për ryshfet dhe keqpërdorim të pushtetit, te nxitja e dhunës kundër shtetit pas largimit nga pushteti përmes mocionit të mosbesimit në prillin e vitit 2022./Nacionale

Lajme të ngjashme