Del pamja ku polici amerikan vret një shtatzënë që s’e ndali veturën dhe e goditi policin
Policia në Ohio të Shteteve të Bashkuara publikoi të premten pamje nga kamera e trupit të një polici që qëllon për vdekje një grua shtatzënë me ngjyrë në një parking veturash, pasi ajo kishte refuzuar t’i bindej urdhrit për të dalë nga vetura, por e kishte nisur automjetin në përpjekje për të ikur, duke e goditur policin që ndodhej para veturës, i cili e qëlloi me pistoletë.
Publikimi i videos së incidentit që ndodhi më 24 gusht në Blendon u bë pas kërkesave të familjes së 21-vjeçares Ta’Kiya Young që polici që e qëlloi me armë të mbahet përgjegjës, raporton agjencia “Reuters”.
“Një e dyshuar për vjedhje e voziti veturën drejt njërit prej policëve të mi dhe polici shkrepi një të shtënë të vetme nëpër xhamin e përparmë”- tha komandanti i policisë në Blendon, John Belform, në një deklaratë që u publikua bashkë me videon.
Megjithatë, Sean Walton, avokat i familjes së gruas së vrarë, tha se ajo ishte viktimë. “Ne kërkojmë llogari për dy jetë të çmuara – Ta’Kiya dhe vajzën e saj të palindur”- tha ai në një konferencë për gazetarë të enjten. Ai nuk ishte i qasshëm për koment të premten.
Vdekja e shtatzënës është në mesin e një vargu të rasteve që kanë ndodhur rishtazi në Shtetet e Bashkuara, ku policët akuzohen për përdorim të forcës së tepërt në vdekjen e personave me ngjyrë dhe pjesëtarëve të tjerë të pakicave, duke nxitur thirrje për reforma në sistemin amerikan të drejtësisë.
Në video, dy policë shihen pranë veturës ku ndodhej gruaja shtatzënë, pasi një punëtor i dyqanit në parkingun e të cilit ndodhej vetura kishte thënë se ajo ishte në mesin e disa personave që kishin vjedhur pije alkoolike – liker – në dyqan.
Në pamje shihet një polic duke qëndruar anash veturës, duke e urdhëruar disa herë gruan që të dilte nga vetura. Një polic tjetër qëndron përballë veturës, në pjesën e përparme të saj, duke mbajtur revole në drejtim të vozitëses dhe duke kërkuar prej saj që të dilte nga automjeti.
Paralajmërim: Pamje e ndjeshme! Nuk preferohet për fëmijë dhe persona të ndjeshëm.
Megjithatë, shtatzëna nuk i bindet urdhrit të policëve dhe e nis veturën në përpjekje për t’u larguar. Ajo e godet policin që ndodhej para veturës, i cili e vendos dorën e majtë mbi veturë dhe me tjetrën e shkrep pistoletën një herë.
Veturës i humb drejtimi dhe ndalet pas pak metrave në murin e një ndërtese. Shtatzëna vdiq më vonë në spital. As foshnja e saj nuk mbijetoi.
Të dy policëve të përfshirë në rast u është shqiptuar masa e pezullimit administrativ. Byroja e Hetimeve Kriminale në Ohio është duke e hetuar rastin.
