Zemërim në Paris, policia vret një adoleshent që nuk u ndal për kontroll
Protesta dhe trazira shpërthyen në kryeqytetin francez gjatë natës së kaluar, pasi policia qëlloi për vdekje një 17-vjeçar që nuk e ndali veturën, kur policia e urdhëroi për një gjë të tillë.
Në videot që po qarkullojnë në rrjete sociale, një polic shihet duke ia drejtuar armën drejtuesit të veturës, para se të dëgjohet një e shtënë. Vetura pastaj përplaset në një vend, raporton televizioni BBC.
Adoleshenti, I identifikuar si Naël M., vdiq nga plaga e armës së zjarrit në gjoks pavarësisht nga ndihma e ekipeve emergjente.
Polici i akuzuar për shkrepjen e armës është arrestuar nën akuzën për vrasje.
Sipas gazetës “Le Monde”, policia fillimisht kishte lënë të kuptohej se adoleshenti e kishte ngarë veturën drejt policëve me qëllim të lëndimit të tyre.
Megjithatë, në pamjet e publikuara në internet e të verifikuara nga agjencia e lajmeve AFP, shihet një ngjarje tjetër.
Aty shihen dy policët që mundohen për ta ndalur veturën. Njëri ia drejton armën drejtuesit të veturës në dritare dhe duket se e shkrep atë nga afër, kur drejtuesi i veturës mundohet që të largohet.
Agjencia raporton se një person në video dëgjohet duke thënë “Do të qëllohesh në kokë”, por nuk është e qartë se kush i thotë këto fjalë.
Dy persona të tjerë ndodheshin në veturë në momentin e shkrepjes së armës nga polici. Njëri ka ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa tjetri, gjithashtu i mitur, është arrestuar dhe është në ndalim policor.
Ky rast nxiti një varg protestash të martën natën në Nanterre, zonë në perëndim të Parisit, ku u vra adoleshenti.
Disa veturave dhe kontejnerëve të mbeturinave iu vu flaka, ndërsa pritoret e autobusëve u shkatërruan. Disa fishekzjarrë u ndezën afër stacionit të policisë. Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, disa prej të cilëve ngritën barrikada gjatë tërë natës.
Njëzet persona u arrestuan pas këtyre trazirave. Disa incidente u regjistruan edhe në qytezat Asnieres, Colombes, Suresnes, Aubervilliers, Clichy-sous-Bois dhe Mantes-la-Jolie.
Autoritetet kanë hapur dy hetime pas vdekjes së adoleshentit, një për vrasjen e mundshme nga një zyrtar publik, ndërsa një tjetër për dështimin e drejtuesit të veturës që të mos ndalej dhe synimit të pretenduar për të vrarë një oficer policor.