Danimarka nis projektligj për ndalimin e djegies së Kuranit në vende publike, gjoba ose burg për shkelësit
Qeveria e Danimarkës tha të premten se do të propozojë legjislacion që do ta bënte ilegale djegien e kopjeve të Kuranit në vende publike, pjesë e përpjekjeve të shtetit nordik për t’i ulur tensionet me vendet me shumicë myslimane.
Danimarka dhe Suedia janë ballafaquar me një varg protestash në javët e fundit, ku kopjet e Kuranit janë djegur ose janë dëmtuar, duke nxitur zemërim në shtet me shumicë myslimane, të cilat kanë kërkuar që vendet evropiane ta ndalojnë djegien e librit, raporton agjencia “Reuters”.
“Qeveria do të propozojë legjislacion që e ndalon trajtimin e papërshtatshëm të objekteve me peshë thelbësore fetare për një komunitet fetar”- tha në një konferencë për gazetarë ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard.
“Kështu, propozimi do ta bëjnë edhe të ndëshkueshme djegien e Kuranit, Biblës ose Toras në publik”- shtoi ai.
Qeveria i refuzoi kundërshtimet nga disa parti opozitare daneze, të cilat thanë se ndalimi i djegies së kopjeve të Kuranit do ta shkelte lirinë e shprehjes.
“Unë në thelb besoj se ka mënyra më të civilizuara për t’i shprehur pikëpamjet dikush se djegia e gjërave”- tha ministri Hummelgaard.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, kishte thënë në korrik se qeveria do të synonte që të gjente një vegël ligjore që do t’u mundësonte autoriteteve që ta parandalonin djegien e kopjeve të Kuranit para ambasadave të shteteve të tjera në Danimarkë.
Ministri i Drejtësisë tha se shkelja e ligjit të ri do të jetë e dënueshme me gjoba ose deri në dy vite burgim. Ai nuk tregoi se kur pret që projektligji të votohet nga deputetët.
Edhe Suedia fqinje ka thënë se është duke hulumtuar mënyra për ta kufizuar ligjërisht përdhosjen e Kuranit për t’i ulur tensionet pas kërcënimeve të fundit që i nxitën zyrtarët e sigurisë që ta ngrinin nivelin e paralajmërimit për rrezik për sulme terroriste.
