Suedia e ngre nivelin e paralajmërimit për terrorizëm pas djegieve të Kuranit
Shërbimi suedez për siguri kombëtare e ngriti të enjten nivelin e gatishmërisë kundër terrorizmit në shkallën e dytë më të lartë dhe paralajmëroi se rreziku për sulme mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, pasi djegia dhe aktet e tjera kundër Kuranit i kanë zemëruar myslimanët.
Danimarka dhe Suedia i kanë ashpërsuar kontrollet kufitare nga frika për sulme hakmarrëse, pasi disa aktivistë anti-islamë dëmtuan disa kopje të librit të shenjtë të myslimanëve muajve të fundit, raporton agjencia “Reuters”.
Ka pasur dënime të shumta nga shumë pjesë të botës myslimane. Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka bërë thirrje për dënim të ashpër për ata që janë përgjegjës dhe ka thënë se Suedia është në gjendje beteje kundër botës myslimane.
Shërbimi suedez i sigurisë, SAPO, e ngriti nivelin e paralajmërimit nga tre në katër në sistemin prej pesë nivelesh, duke treguar për “rrezik të lartë”.
“Suedia ka shkuar nga e konsideruar si cak legjitim për sulme terroriste në e konsideruar si cak me prioritet”- tha në një konferencë për gazetarë drejtoresha e shërbimit SAPO, Charlotte von Essen.
Sipas saj, rreziku për sulme që paraqitet nga “aktorë të dhunshëm islamikë” është rritur gjatë vitit të fundit, por se ngritja e nivelit të paralajmërimit nuk ka të bëjë me ndonjë njohuri për plane specifike.
“Ngritja e nivelit për rrezik nga terrori po bëhet për ta shtuar vetëdijen se rreziku që ne e shohim do të mbetet për ca kohë dhe shoqëria duhet ta ndërtojë rezistencën e saj për t’u ballafaquar me këtë”- shtoi zyrtarja suedeze.
Edhe forcat e armatosura të Suedisë thanë se do ta rrisin nivelin e rrezikut nga terrorizmi për operacione.
Britania dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar shtetasit e tyre kundër udhëtimit në Suedi për shkak të rrezikut për sulme të mundshme terroriste në kohën e protestave atje si dhe në Danimarkën fqinje për shkak të djegieve të Kuranit.
