Danimarka mban referendumin për mbrojtjen e përbashkët të Evropës - NACIONALE

Danimarka mban referendumin për mbrojtjen e përbashkët të Evropës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Danimarka, tradicionalisht euroskeptike, voton sot në referendum nëse do të mbështes apo jo politikën e përbashkët të mbrojtjes së BE-së.

Votimi vjen pas aplikimeve historike të Finlandës dhe Suedisë fqinje për anëtarësim në NATO, dhe ndërsa lufta në Ukrainë po i detyron vendet në Evropë të rimendojnë politikat e tyre të sigurisë.

Më shumë se 65% e 4.3 milionë votuesve të Danimarkës me të drejtë vote pritet të votojnë në favor të heqjes së përjashtimit të vendosur më 1992, ka parashikuar një sondazh i publikuar të dielën.

Megjithatë, parashikimet e analistëve kanë qenë më të kujdesshme, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët të votuesve që pritet në një vend që shpesh ka thënë "jo" për më shumë integrim në BE.

Danimarka ka qenë anëtare e BE-së që nga viti 1973, por ajo ndaloi transferimin e më shumë kompetencave në Bruksel në vitin 1992, kur 50.7 përqind e danezëve refuzuan Traktatin e Mastrihtit, traktatin themelues të BE-së. Për të bindur danezët të miratonin traktatin, Kopenhaga negocioi një sërë përjashtimesh dhe ai u miratua vitin e ardhshëm.

Që atëherë, Danimarka ka mbetur jashtë monedhës së përbashkët evropiane, euros, të cilën e refuzoi në një referendum të vitit 2000, si dhe politikave të përbashkëta të bllokut për drejtësinë dhe punët e brendshme dhe mbrojtjen.

Përjashtimi i mbrojtjes do të thotë që vendi skandinav, një anëtar themelues i NATO-s, nuk merr pjesë aktualisht në politikën e jashtme të BE-së kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe nuk kontribuon me trupa në misionet ushtarake të BE-së.

Votuesve danezë iu dha një shans i fundit për të dëgjuar liderët politikë të martën në mbrëmje, gjatë një debati të drejtpërdrejtë televiziv.

"Unë nga zemra do të votoj nesër PO," i tha audiencës kryeministrja daneze Mette Frederiksen. "Kur ka luftë në kontinentin tonë, atëherë bashkimi është përgjigja më e mirë që mund të japim."

Frederiksen e thirri referendumin vetëm dy javë pas pushtimit rus të Ukrainës dhe pasi kishte arritur një marrëveshje me shumicën e partive në parlament. Frederiksen njoftoi gjithashtu planet për të rritur shpenzimet e mbrojtjes të Danimarkës në dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në përputhje me kërkesat e anëtarësimit në NATO, deri në vitin 2033.

Njëmbëdhjetë nga 14 partitë politike të Danimarkës, që kanë më shumë se tre të katërtat e vendeve në parlament, u kanë kërkuar votuesve t’i thonë "po" politikës së përbashkët të mbrojtjes së BE-së.

Vendvotimet janë hapur në orën 8:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 20:00, ndërsa rezultatet përfundimtare priten rreth orës 23:00.

Lajme të ngjashme