Danimarka do t’ua ndalojë rrjetet sociale fëmijëve nën moshën 15-vjeçare - NACIONALE

Danimarka do t’ua ndalojë rrjetet sociale fëmijëve nën moshën 15-vjeçare

3 javë më parë

nga NACIONALE

Danimarka do ta ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare, tha të premten Qeveria, edhe pse prindërit do të lejohen që të ofrojnë përjashtime për të rinjtë deri në moshën 13-vjeçare për të pasur qasje në platforma të caktuara.

Kjo lëvizje vjen pas thirrjes së kryeministres Mette Frederiksen në fjalimin e saj hapës në Kuvend muajin e kaluar për kufizim të rrjeteve sociale për fëmijët për shkak të shqetësimeve rreth shëndetit mendor të të rinjve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Të ashtuquajturat rrjete sociale ia dalin që ta vjedhin kohën, fëmijërinë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë dhe ne do t’i vendosim një stop kësaj tani” – tha ministrja e Dixhitalizimit, Caroline Stage Olsen.

Shumica e partive në Kuvend thanë se do ta mbështesnin planin para se ai të hidhej në votim formalisht.

Në mesin e platformave më të përdorura nga fëmijët në Danimarkë janë “Snapchat”, “YouTube”, “Instagram” dhe “TikTok”, sipas Qeverisë.

Sipas një analize të autoritetit danez për konkurrencë dhe konsumatorë, e realizuar në shkurt të këtij viti, të rinjtë danezë kalojnë mesatarisht 2 orë e 40 minuta çdo ditë në rrjete sociale.

Danimarka po shkon hapave të Australisë, shtet që vitin e kaluar e ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët e adoleshentët nën moshën 16-vjeçare./Nacionale

Lajme të ngjashme