CNN: ShBA-ja e ka paralajmëruar Izraelin se kohën e ka të kufizuar para botës - NACIONALE

CNN: ShBA-ja e ka paralajmëruar Izraelin se kohën e ka të kufizuar para botës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mediat amerikane raportojnë për shtim të presionit ndaj Uashingtonit për ta ndryshuar drejtimin rreth luftës së Izraelit kundër Hamasit dhe të thërrasë publikisht për armëpushim, ndërsa zyrtarët e administratës së presidentit Joe Biden besojnë se pamjet e kërdisë dhe vdekjeve në Gaza mund ta izolojnë vendin nga skena globale.

Televizioni CNN raporton se presidenti amerikan, Joe Biden, dhe këshilltarët e tij më të lartë po e paralajmërojnë Izraelin me forcë të shtuar se do të jetë gjithnjë më vështirë për këtë vend që t’i ndjekë qëllimet ushtarake në Gaza, përderisa shpeshtohet reagimi global për shkallën e vuajtjeve humanitare atje.

Bideni, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, që të premten po qëndron në Izrael me porosinë për ta mbrojtur jetën e civilëve, e kanë shprehur këtë qëndrim në mënyrë të hapur në bisedat private me izraelitët rishtazi, duke u thënë se dobësimi i mbështetjes do të ketë pasoja të tmerrshme strategjike për operacionet e ushtrisë izraelite kundër Hamasit.

Prapa dyerve të mbyllura, zyrtarët amerikanë besojnë, gjithashtu, se ka kohë të kufizuar që Izraeli të mundohet që ta arrijë objektivin e shpallur për shkatërrimin e Hamasit para se reagimet për vuajtjet e civilëve të arrijnë një pikë kulmore.

Në të vërtetë, brenda administratës pranohet mundësia që ky moment mund të vijë shpejt. Disa prej këshilltarëve të ngushtë të presidentit Biden besojnë se janë vetëm disa javë, jo muaj, para se të mos mund të mbrohet më rezistenca ndaj presionit për qeverinë amerikane që publikisht të bëjë thirrje për armëpushim.

Dy burime të afërta me këtë çështje thanë se posaçërisht shokuese për Bidenin dhe ekipin e tij të sigurisë ishin sulmet ajrore izraelite në një kamp refugjatësh në veri të Gazës, duke rezultuar në skena të zymta të vdekjeve e shkatërrimit të gjerë. “Presidentit nuk i pëlqeu aspak kjo”- tha njëri nga burimet.

“Problemi [për Izraelin] është që kritikat po bëhen më të zëshme, jo vetëm në mesin e kritikuesve të tij, por edhe nga miqtë e tyre më të mirë”- tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

Sidoqoftë, zyrtarët këmbëngulin se presidenti Biden nuk ka vendosur ndonjë vijë të kuqe për Izraelin.

Prapëseprapë, zyrtarë të lartë të administratës thonë se Bideni i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se pamjet e pamëshirshme të grave e fëmijëve palestinezë duke u nxjerrë nga rrënojat mund të fillojnë që ta ngushtojnë aftësinë e Izraelit për të vazhduar përpara me operacionin e tanishëm.

Në bisedat me Netanyahun, Bideni ka paralajmëruar se Izraeli do të gjykohet ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, nëse nuk ndërmerr masa për ta lehtësuar vuajtjen njerëzore në masë domethënëse dhe t’i minimizojë vdekjet e civilëve palestinezë.

Gjatë dhjetë telefonatave, Bideni e ka shtyrë Netanyahun drejt dhjetë pikave specifike të veprimit, përfshirë rritjen e konsiderueshme të numrit të kamionëve me ndihma që mund të hyjnë në Gaza, lehtësimin e largimit të shtetasve të huaj nga Gaza dhe frenimin e dhunës së kolonëve ekstremistë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Lajme të ngjashme