Irlanda e kritikon ashpër Izraelin: Kjo s’është veç vetëmbrojtje, s’garantohet siguria kështu
Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, shteti i të cilit është anëtar i Bashkimit Evropian, të premten shprehu kritika mjaft të ashpra ndaj Izraelit, duke thënë se operacionet ushtarake të këtij vendi duken si “diçka që po i afrohen hakmarrjes”.
Autoritetet shëndetësore në Gaza thonë se të paktën 9 mijë e 61 persona janë vrarë në këtë enklavë që nga fillimi i sulmeve izraelite si hakmarrje ndaj sulmit të Hamasit me rreth 1.400 të vrarë në jug të Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
“Unë besoj fuqishëm që… Izraeli e ka të drejtën për ta mbrojtur veten, e ka të drejtën për t’iu vënë pas Hamasit, se ata (anëtarët e Hamasit) nuk mund ta bëjnë këtë prapë”- tha kryeministri irlandez para gazetarëve gjatë një vizite në Kore të Jugut.
“Ajo që unë po e shoh duke u shpalosur për momentin nuk është vetëm vetëmbrojtje. Ajo duket, ngjan me diçka duke iu afruar më shumë hakmarrjes”- shtoi ai.
“Ky nuk është vendi ku duhet të jemi dhe nuk mendoj se kështu Izraeli do t’i garantojë lirinë e së ardhmes dhe sigurinë e së ardhmes”- tha më tej kryeministri irlandez.
Kur u pyet nga një gazetar nëse veprimet e Izraelit janë krime lufte, Vardakari tha: “Kjo nuk më përket mua që ta përcaktoj.”
Izraeli këmbëngul se është duke vepruar brenda të drejtës ndërkombëtare dhe se qëllimi i sulmeve të tij është që të shkatërrohet Hamasi, grup që operon brenda zonave me popullsi civile.
Lufta në Gaza i ka vënë në pah përçarjet e politikës së jashtme brenda Bashkimit Evropian. Disa shtete, si Franca, Holanda, Spanja, Portugalia, Belgjika e Irlanda i kanë mbështetur thirrjet e OKB-së për pauzë në konflikt për arsye humanitare.
Megjithatë, disa shtete të tjera, si Gjermania, Austria e Republika Çeke kanë rezistuar, duke argumentuar se një veprim i tillë do ta frenonte aftësinë e Izraelit për ta mbrojtur veten dhe do ta lejonte Hamasin që të rigrupohej, sipas diplomatëve.
Irlanda ka qenë tradicionalisht njëra ndër kritikueset më të fuqishme të politikave izraelite ndaj palestinezëve në Evropën Perëndimore.
