CNN: Forcat izraelite e sulmuan autokolonën me ndihma në Gaza, sipas dokumenteve të OKB-së dhe analizës satelitore - NACIONALE

CNN: Forcat izraelite e sulmuan autokolonën me ndihma në Gaza, sipas dokumenteve të OKB-së dhe analizës satelitore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat izraelite shtien ndaj një autokolone të OKB-së që po bartte furnizime jetike ushqimore në pjesën qendrore më 5 shkurt, para se përfundimisht t’i bllokonin kamionët nga vazhdimi i rrugës drejt pjesës veriore të enklavës, ku palestinezët janë buzë vdekjes nga uria, sipas dokumenteve të OKB-së dhe analizës së televizionit CNN.

Televizioni amerikan ka parë komunikim mes OKB-së dhe ushtrisë izraelite që tregon se të dyja palët ishin pajtuar për rrugën e autokolonës para se të ndodhte sulmi. Sipas një raporti të brendshëm për incidentin, të hartuar nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, që gjithashtu është parë nga televizioni CNN, kamioni ishte njëri nga dhjetë të tillët në një autokolonë që po qëndronte e palëvizshme në një pikë të mbajtjes të ushtrisë izraelite, kur ndaj saj ishte shtënë.

Askush në autokolonë nuk është lënduar, por një pjesë e madhe e ngarkesës – kryesisht miell gruri, shumë i nevojshëm për të gatuar bukë – është shkatërruar. Analizimi i këtij sulmi ofron një pamje për sfidat e rëndësishme me të cilat ballafaqohen përpjekjet humanitare për dërgimin e ndihmave te më shumë se dy milionë banorë të Gazës – gati 85 për qind e të cilëve janë të shpërngulur në mënyrë të brendshme – gjatë bombardimeve gati 5-mujore të Izraelit në enklavë.

“Një autokolonë që kishte ushqim në të, e nisur drejt pjesëve veriore të Rripit të Gazës. Ajo autokolonë në rrugën e saj në ato që ne i quajmë zona të mesme, u godit. Njëri nga kamionët që po bartte furnizime u godit nga zjarri detar izraelit” – i tha televizionit CNN zëdhënësja e agjencisë UNRWA të OKB-së, Juliette Touma.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nuk u janë përgjigjur kërkesave të përsëritura të televizionit CNN për ta komentuar sulmin. Ushtria izraelite kishte thënë më 5 shkurt se ishte duke e shqyrtuar incidentin.

Ky është njëri nga disa incidentet ku autokolonat me ndihma, si dhe depot ku mbahen ndihma, janë goditur nga fillimi i luftës.

Pas sulmit më 5 shkurt, agjencia UNRWA vendosi që ta ndërpriste dërgimin e autokolonave drejt Gazës veriore. Hera e fundit kur agjencia kishte arritur që të dërgonte ushqim në veri të rripit që e ndan enklavën, ishte më 23 janar. OKB-ja vlerëson se 300 mijë njerëz janë ende duke jetuar në veri të Gazës, me shumë pak asistencë. Kequshqyerja akute tashmë është identifikuar në 16,2 për qind të fëmijëve atje, mbi pragun që konsiderohet kritik, sipas OKB-së.

Autokolona, që përbëhej nga dhjetë kamionë me ndihma dhe dy automjete të blinduara me mbishkrimin e OKB-së, e kishte nisur udhëtimin në orët e hershme të 5 shkurtit. Agjencia UNRWA tha se udhëtimet nisen herët për ta shmangur plaçkitjen e ngarkesës gjatë rrugës nga njerëzit që kanë nevojë dëshpëruese për ushqim.

Lajme të ngjashme