Charles Brown emërohet komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së
Komandanti i Forcave Ajrore të ShBA-së, Gjeneral Charles Q. Brown, u konfirmua të mërkurën nga Senati me vota dërrmuese nga të dyja partitë dhe do të jetë vetëm oficeri i dytë me ngjyrë në pozitën më të lartë ushtarake.
Në Senat, 83 anëtarë votuan për emërimin e komandantit të ri, ndërsa vetëm 11 ishin kundër. Brown, bashkë me sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të jenë dy oficerë me ngjyrë që i mbajnë dy pozitat më të larta të Pentagonit. Colin Powell ishte komandanti i parë me ngjyrë i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, raporton “ABC News”.
Në vitin 2020, Brown ishte konfirmuar si komandanti i parë me ngjyrë i Forcave Ajrore të ShBA-së. Presidenti Biden e kishte nominuar atë për komandant të Shtabit të Përgjithshëm në maj të këtij viti, duke e përshkruar si “luftëtar” e “udhëheqës të patrembur”. Megjithatë, emërimi i tij ishte bllokuar me muaj nga senatori republikan, Tommy Tuberville.
Para se të shërbente si komandant i Forcave Ajrore, Brown e kishte mbajtur pozitën e komandantit të Forcave Ajrore të Paqësorit, që janë pjesë e Komandës së Indo-Paqësorit në ushtrinë amerikane.
Më vonë këtë javë, Senati pritet t’i votojë edhe emërimet e Gjeneralit Eric Smith në pozitën e komandantit të Trupave të Marinës dhe Gjeneralin Randy si komandant të Ushtrisë.
