Bideni nominon për herë të parë një grua për komandante të Forcave Detare
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka zgjedhur një admirale për t’i udhëhequr Forcat Detare të Shteteve të Bashkuara. Zonja Lisa Franchetti është gruaja e parë që nominohet për një pozitë kaq të qartë në Pentagon.
Franchetti ka qenë komandante e Flotës së Gjashtë dhe e forcave detare amerikane në Kore Jugore. Ajo ka shërbyer edhe si komandante e sulmit në një aeroplanmbajtëse. Nominimi i saj duhet të përkrahet edhe nga Senati për t’u emëruar në detyrë, raporton televizioni BBC.
Një ligjvënës tash për tash është duke e bllokuar miratimin e nominimeve për pozita ushtarake në Senat si shenjë proteste për politikat ushtarake rreth abortit.
Nëse konfirmohet në pozitën e komandantes së Operacioneve Detare, Franchetti do të jetë gruaja e parë që bëhet pjesë e grupit elit të oficerëve të lartë ushtarakë që e përbëjnë Shtabin e Përgjithshëm.
Ushtarakja me përvojë 38-vjeçare është vetëm gruaja e dytë që e ka arritur gradën e admirales me katër yje.
Përmes një deklarate, presidenti Biden e vlerësoi lart atë që e quajti “ekspertizë të gjerë në fushat operacionale e të politikave” dhe tha se ajo “do ta bëjë përsëri historinë”, kur të konfirmohet në këtë pozitë.
Sipas raportimeve në mediat amerikane, Franchetti nuk ishte zgjedhja e parë e sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili e kishte rekomanduar për këtë post Samuel Paparo-n.
Bideni e ka vlerësuar edhe Paparo-n, duke e nominuar për komandant të forcave ushtarake amerikane në Paqësor.
