Forcat detare të ShBA-së e dërgojnë luftanijen më të avancuar në lindje të Azisë
Luftanija më e avancuar sipërfaqësore e forcave detare amerikane po e shfaq profilin e vet tinëzar në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor në një mision që mund ta hapë rrugën për vendosjen e mundshme të raketave hipersonike të ShBA-së në rajon.
Luftanija “USS Zumwalt” është e para në një kategori të tri shkatërruesve raketore për të cilat forcat detare thonë se “do të krijojë një nivel të ri të ndërlikueshmërisë së hapësirës së betejave për armiqtë e mundshëm”.
Në Paqësor, njëra nga ato armike të mundshme është qartazi Kina dhe luftanija “Zumëalt” sigurisht se do ta marrë vëmendjen e Pekinit, shkruan CNN, përcjell Nacionale.
“Prania e një luftanije tinëzare do të tërheq interesim të madh (kinez)”, sidomos nëse “Zumwalt”-i pajiset me armë hipersonike, tha analisti Carl Schuster, ish-kapiten në forcat detare amerikane.
Kjo kohë mund të mos jetë shumë larg.
Në një raport të publikuar në gusht nga Instituti Detar i ShBA-së thuhet se luftanija “Zumwalt” do të modernizohet vitin e ardhshëm për t’ia vendosur sistemin e armëve C-HGB, që ka një motor përforcues raketor për të hedhur raketa në shpejtësi hipersonike.
Sipas një raporti të Shërbimit Kongresist të Hulumtimeve, të publikuar në maj të këtij viti, “sistemi C-HGB do të jetë i manovrueshëm, duke e bërë më të vështirë për t’u vërejtur dhe për t’u penguar dhe mund të udhëtojë në shpejtësinë Mach 5 ose më shpejt... të paktën pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit ose deri në 13.000 milje (20.921 kilometra) në orë.
Pas realizimit të një thirrjeje në port në Guam javën e kaluar, luftanija “Zumwalt” arriti në Japoni të hënën, tha një zëdhënës i Flotës së Shtatë të Marinës së ShBA-së.
Në një deklaratë të forcave detare thuhet se kjo luftanije është caktuar për Skuadronin 15 të Shkatërrueseve, që është më i madhi i ShBA-së i vendosur jashtë vendit, duke operuar afër bazës detare në Yokosuka, afër Tokios.
Me 185 metra gjatësi e me zhvendosje të 16.000 tonëve, “Zumwalt” është “luftëtarja sipërfaqësore më e madhe dhe më e avancuar në aspektin teknologjik në botë”, sipas forcave detare amerikane.
Luftanija më e madhe sipërfaqësore e Kinës, “Type 055”, zhvendos rreth 12.000 deri 13.000 tonë. Sidoqoftë, përderisa forcat detare kineze nuk mund t’i krahasojnë anijet e tyre me luftanijen amerikane për madhësi, qartazi mund ta fitojnë betejën për sasi.
Forcat detare amerikane do të kenë vetëm tri anije të kategorisë “Zumwalt”. Forcat detare kineze kanë gjashtë luftanije aktive të tipit 055 dhe më shumë të tilla pritet të bëhen pjesë e forcave kineze si pjesë e një programi masiv për prodhimin e anijeve, që e ka bërë flotën kineze më të madhen në botë, duke ia zënë vendin e parë ShBA-së./Nacionale

