Çfarë ndodhi me 510 marinarët e Moskva? Rusia nuk u jep informacione familjarëve
Familjarët e ekuipazhit të Moskva, anije luftarake ruse që u fundos në brigjet e Ukrainës, kanë kërkuar përgjigje për fatin e djemve të tyre, shumë prej të cilëve ishin rekrut.
The Guardian raporton se një nënë, e quajtur Yulia Tsyvova, mori vesh këtë mëngjes se djali i saj ka vdekur.
Ajo kishte kërkuar me dëshpërim informacione për djalin e saj Andrei, por nuk i është thënë nëse ai i kishte mbijetuar sulmit të raportuar me raketa ukrainase që kishte fundosur anijen ruse të flotës së Detit të Zi.
Të hënën në mëngjes, ajo kishte pranuar një telefonatë nga ministria ruse e Mbrojtjes, e cila i tha se djali i saj kishte vdekur
Anëtarët e familjeve të marinarëve që shërbyen në bordin e Moskvës po kërkojnë përgjigje pasi ministria ka kërkuar të fshijë informacionin rreth asaj që ndodhi me anijen ose me ekuipazhin e saj prej 510 personash.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve, të plagosurve dhe të zhdukurve mbetet sekret shtetëror. Ndërsa, vdekja e Tsyvov, e cila nuk është raportuar më parë, është vetëm e dyta e konfirmuar nga anija luftarake. Janë edhe tre familje të tjera të cilat kanë dalë publikisht duke thënë se nuk mund t'i gjejnë djemtë e tyre që po shërbenin në bord.
Raportet e mediave sugjerojnë se numri i viktimave nga sulmi do të jetë shumë më i lartë dhe përpjekjet për të shtypur informacionin rreth vdekjeve kanë rritur krahasimet me incidentin e nëndetëses Kursk që la të vdekur 118 marinarë në vitin 2000 dhe i dha një goditje prestigjit të një presidenti atëkohë të ri Vladimir Putin.
Informacioni mbi vdekjen e marinarëve të rinj në Moskva, do të rinovojë gjithashtu kontrollin rreth përdorimit të rekrutëve nga qeveria ruse në betejë.
Ministria e Mbrojtjes u detyrua të pranonte se kishte dërguar rekrutë në luftë, vetëm pasi disa u kapën në Ukrainë në javët e para të luftës. Por, pretendoi se nuk do të dërgojë të tjerë.
Megjithatë, disa prindër të anëtarëve të ekuipazhit të Moskvës i kanë thënë The Guardian se djemtë e tyre në bordin e anijes ishin vetëm rekrut dhe jo ushtarë profesionistë me kontratë.