Ç’është Njësiti 8200 i Izraelit, që thuhet se u përfshi në sulmet në Liban? - NACIONALE

Ç’është Njësiti 8200 i Izraelit, që thuhet se u përfshi në sulmet në Liban?

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Sulmi masiv me shpërthim të pejxherëve kundër Hezbollahut në Liban e ka kthyer vëmendjen te Njësiti 8200, njësi e inteligjencës në ushtrinë izraelite, për të cilën një burim perëndimor i sigurisë ka thënë se është e përfshirë në planifikimin e operacionit.

Zyrtarët izraelitë kanë qëndruar të heshtur rreth operacionit të guximshëm të inteligjencës që la të vrarë 12 persona e mijëra operativë të Hezbollahut të plagosur. Të paktën një person vdiq të mërkurën, kur shpërthyen radio-lidhje që përdoreshin nga Hezbollahu, raporton agjencia “Reuters”.

Një burim libanez i sigurisë dhe një burim tjetër i thanë agjencisë “Reuters” se agjencia izraelite e spiunazhit, Mossad, është përgjegjëse për një operacion të sofistikuar për vendosjen e sasisë së vogël të lëndës shpërthyese brenda pesë mijë pejxherëve që ishin porositur nga Hezbollahu.

Një burim perëndimor i sigurisë i tha agjencisë “Reuters” se Njësiti 8200, njësit ushtarak që nuk është pjesë e agjencisë së spiunazhit, ishte i përfshirë në fazën zhvillimore të operacionit kundër Hezbollahut, që po përgatitej për më shumë se një vit.

Burimi tha se Njësiti 8200 ishte i përfshirë në aspektin teknik të testimit se si ata do të mund të vendosnin material shpërthyes brenda procesit të prodhimit.

Ushtria izraelite refuzoi që të komentonte. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, që e ka nën mbikëqyrje Mossadin, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Yossi Kuperwasser, ish-oficer i inteligjencës ushtarake dhe tani drejtor i Forumit për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Izraelit, tha se nuk kishte konfirmim që njësia e inteligjencës ushtarake ishte e përfshirë në sulmin në Liban.

Megjithatë, ai shtoi se pjesëtarët e Njësitit 8200 janë prej më të mirëve dhe më të zgjuarve në ushtrinë izraelite, duke shërbyer në një njësit që është në qendër të kapaciteteve të mbrojtjes së Izraelit.

“Sfidat me të cilat po ballafaqohen ata janë të pamasa, shumë kërkuese, dhe neve na duhet që njerëzit më të mirë të përfshihen në këtë” – tha ish-oficeri izraelit.

Njësiti 8200 dhe legjioni i tij me ushtarë të rinj e të përzgjedhur me kujdes zhvillon dhe operon mjete për grumbullim të inteligjencës dhe shpesh ndërlidhet me Agjencinë për Siguri Kombëtare të ShBA-së.

Në një deklaratë të rrallë publike për aktivitetet e njësitit, ushtria izraelite kishte thënë më 2018 se Njësiti 8200 kishte ndihmuar në pengimin e një sulmi ajror nga ISIS-i ndaj një shteti perëndimor. Në atë kohë, ushtria kishte thënë se në operacionet e këtij njësiti përfshihen grumbullimi i inteligjencës, mbrojtja kibernetike e deri te “sulmet teknologjike”.

Përderisa Izraeli nuk e ka konfirmuar kurrë, ishte raportuar se Njësiti 8200 ishte i përfshirë në sulmin “Stuxnet” që i kishte nxjerrë nga funksioni centrifugat bërthamore të Iranit si dhe në një varg të operacioneve të tjera të profilit të lartë jashtë Izraelit./Nacionale

Lajme të ngjashme