Centrali më i madh bërthamor i Evropës shkëputet prej rrjetit elektrik nga sulmet ruse
Të enjten është raportuar për sulme ruse në disa zona të Ukrainës. Thuhet se bombardimet e rënda e kanë dëmtuar infrastrukturën, përfshirë furnizimin me rrymë të centralit më të madh bërthamor të Evropës, që ndodhet në Zaporizhia të Ukrainës.
Ky central, që ndodhet në jug të Ukrainës, është shkëputur përsëri nga rrjeti elektrik, pasi bombardimet ruse i dëmtuan linjat e mbetura të tensionit të lartë, duke e lënë termocentralin vetëm me gjeneratorë më naftë, tha kompania ukrainase e energjisë bërthamore, “Energoatom”.
Për sulme ruse u raportua edhe në Kriviyh Rih, në pjesën qendrore të Ukrainës, dhe në Sumy e Kharkiv, në verilindje. Luftimet e ashpra po vazhdojnë në rajonet lindore, Luhansk e Donetsk, raporton agjencia “Reuters”.
“Armiku po përpiqet që t’i mbajnë territoret e kapura përkohësisht, duke i përqendruar përpjekjet e tij në kufizimin e veprimeve të Forcave të Mbrojtjes në zona të caktuara”, tha të enjten Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Rusia ka thënë se e ka vënë në shënjestër infrastrukturën si pjesë e atij që e quan “operacion special ushtarak” për ta degraduar ushtrinë ukrainase dhe për ta larguar atë që e cilëson si rrezik potencial ndaj sigurisë së Rusisë.
Si rezultat, civilët ukrainas janë ballafaquar me ndërprerje të rrymës dhe kufizim të furnizimit me ujë në javët e fundit. Rusia mohon se i ka në shënjestër civilët, edhe pse mijëra të tillë janë vrarë e miliona të tjerë janë zhvendosur si pasojë e luftës.
Sulmet ndodhën pasi Rusia tha se do ta vazhdojë pjesëmarrjen në marrëveshjen për eksportimin e drithërave nga Ukraina, duke hequr dorë nga vendimi i fundjavës për pezullimin e pjesëmarrjes, për të cilin udhëheqësit botërorë paralajmëruan se do ta shtonte urinë në nivel global.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e justifikoi vendimin për vazhdimin e pjesëmarrjes në marrëveshje duke thënë se ka pranuar garanci nga Ukraina se ky vend nuk do ta përdorë korridorin për eksportimin e drithërave nëpër Detin e Zi për operacione ushtarake kundër Rusisë.
“Federata Ruse konsideron se garancitë e pranuara për momentin duken të mjaftueshme dhe e vazhdon zbatimin e marrëveshjen”, thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie.
Marrëveshja për eksportimin e drithërave, e arritur para tre muajve, kishte ndihmuar për të shmangur një krizë globale të ushqimit duke larguar një bllokadë ruse ndaj Ukrainës, njëra nga eksportueset më të mëdha të drithërave në botë./Nacionale

