“CBS News”: Trumpi i frustruar me kufizimet e opsioneve ushtarake kundër Iranit - NACIONALE

“CBS News”: Trumpi i frustruar me kufizimet e opsioneve ushtarake kundër Iranit

5 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është bërë gjithnjë më i frustruar me ato që ndihmësit i përshkruajnë si kufizime të opsioneve ushtarake kundër Iranit, sipas disa burimeve të afërta me çështjen, të cilat biseduan me televizionin “CBS News” në kushte anonimiteti.

Ndryshe nga operacionet me shënjestra në të kaluarën, përfshirë atë për rrëzimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, Trumpit i është thënë se çfarëdo sulmi ndaj aseteve të Teheranit sipas të gjitha gjasave nuk do të ishte një goditje e vetme e vendimtare. Në vend të kësaj, sulmet e kufizuara do të mund ta hapnin rrugën për një ballafaqim më të gjerë që rrezikon t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara në një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme.

Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale, Trumpi i hodhi poshtë raportimet se komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, Gjeneral Dan Caine, “është kundër që ne të shkojmë në luftë me Iranin”. Sipas presidentit, Caine “nuk do të donte të shihte luftë por, nëse merret një vendim për të dalë kundër Iranit në nivel ushtarak, mendimi i tij është se do të ishte diçka që do të fitohej lehtësisht”.

Në thelbin e mosdurimit të Trumpit është dëshira e tij për veprim të fuqishëm që do ta rirendiste tavolinën diplomatike. Ai i ka shtyrë këshilltarët për të ofruar opsione që do të sillnin një goditje ndëshkuese, aq të fuqishme, sipas mendimit të tij, saqë do t’i detyronte udhëheqësit iranianë që t’u kthehen bisedimeve nën kushte më të favorshme për Uashingtonin. Megjithatë, planifikuesit ushtarakë kanë paralajmëruar se një rezultat i tillë nuk është i garantuar.

Në takime private, Caine e ka këshilluar Trumpin se një fushatë e zgjatur ushtarake kundër Iranit do të bartte pasoja të konsiderueshme, si hakmarrja nga forcat iraniane dhe grupet e tyre në rajon kundër forcave amerikane dhe aleate dhe se konflikti do të mund të përshkallëzohej në një spirale që do të kërkonte trupa e burime amerikane shtesë.

Në fundjavë, emisari i posaçëm, Steve Witkoff, tha në një intervistë në televizionin “Fox News” se Trumpi është “kureshtar” të dijë se pse iranianët “nuk kanë kapitulluar”.

Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara e kanë zgjeruar dukshëm praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Grupi sulmues me aeroplanmbajtësen “USS Gerald R. Ford” pritet që të pozicionohen brenda rrezes për goditje të mundshme të territorit iranian, duke iu bashkuar grupit sulmues me aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln” dhe grupeve të aeroplanëve që janë vendosur në disa baza afër Gjirit Persik./Nacionale

Lajme të ngjashme