Britania “paralajmëron” luftë me Rusinë, u bëhet thirrje ushtarëve për gatishmëri
Kreu i ri i Ushtrisë Britanike ka lëshuar një thirrje për trupat ushtarake të vendit, duke u thënë atyre se duhet të jenë gati për t'u përballur me Rusinë në fushën e betejës.
Sipas BBC-së, gjenerali Sir Patrick Sanders, i cili filloi punën javën e kaluar, iu drejtua të gjitha gradave dhe nëpunësve civilë në një mesazh të brendshëm më 16 qershor.
“Pushtimi rus i Ukrainës tregon nevojën për të mbrojtur Britaninë e Madhe dhe për të qenë gati për të luftuar dhe për të fituar luftërat në tokë", është shprehur ai duke shtuar se ushtria dhe aleatët duhet të jenë “të aftë ta mundin Rusinë”.
Gjenerali Sir Patrick po ashtu ka thënë se, "invazioni rus i Ukrainës nënvizon qëllimin thelbësor, të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar”.
Në mesazhin e tij ai kishte vënë në dukje se, "bota ka ndryshuar që nga 24 shkurti dhe tani ekziston një imperativ i zjarrtë për të krijuar një ushtri të aftë për të luftuar përkrah aleatëve tanë dhe për të mposhtur Rusinë në betejë".
Gjenerali Sir Patrick ka vendosur gjithashtu qëllimin e tij për të "përshpejtuar mobilizimin dhe modernizimin e ushtrisë për të përforcuar NATO-n dhe për t'i mohuar Rusisë mundësinë për të pushtuar më shumë Evropë… ne jemi brezi që duhet ta përgatisim ushtrinë për të luftuar përsëri në Evropë".
Kreu i ri i ushtrisë së MB-së, është një ish-komandant i Komandës Strategjike dhe ka komanduar operacione në Bosnje, Irak dhe Afganistan.
Tani ndërsa lufta po vazhdon, pushtimi i Ukrainës ka ndryshuar pikëpamjen dhe kontekstin për ushtrinë në vend, e cila më herët po përballej me reduktime të numrit të ushtarëve.
Por, në këtë kohë, shpenzimet e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar kanë parë një rritje prej 3 miliardë funte në vit në terma realë që nga viti 2016-2017, pas një shkurtimi të financimit prej 6.6 miliardë funte midis 2010 dhe 2017.
E sipas të dhënave nga IISS Global Military Balance 2020, ndërsa, Rusia shpenzon rreth 4.14% të prodhimit të saj të brendshëm bruto për ushtrinë e saj, Mbretëria e Bashkuar shpenzon rreth 2.33%,
Kujtojmë se, para pushtimit të Rusisë, kryeministri Boris Johnson kishte thënë para deputetëve se ai besonte se epoka e tankeve kishte kaluar.
"Ne duhet të pranojmë se konceptet e vjetra të luftimit të betejave të tankeve të mëdha në masën tokësore evropiane kanë përfunduar dhe ka gjëra të tjera më të mira në të cilat duhet të investojmë,” ishte shprehur atëkohë Johnson, duke shtuar se, “sistemet e përmirësuara të luftimit ajror dhe strategjitë kibernetike ishin mënyra se si do të luftohet në të ardhmen...”