Johnson nuk kandidon, Rishi Sunak me gjasa më të mëdha për t'u bërë kryeministër
Boris Johnson ka njoftuar se nuk do të qëndrojë në garën e lidershipit konservator, duke e lënë Rishi Sunak me shumë mundësi të bëhet kryeministri i ardhshëm i vendit.
Edhe pse ish-kryeministri nuk kishte deklaruar zyrtarisht kandidaturën, ai u kishte thënë mbështetësve se donte të kandidonte, duke marrë mbështetjen e shtatë ministrave të kabinetit – Jacob Rees-Mogg, James Cleverly, Anne-Marie Trevelyan, Nadhim Zahawi, Alok Sharma, Simon Clarke dhe Chris- Heaton Harris.
Pasi një rikthimi në Londër nga pushimet në Karaibe, Johnson të shtunën mbajti bisedime me rivalët Rishi Sunak dhe Penny Mordaunt në një përpjekje për t'i bindur ata për rikthimin e tij politik.
Megjithatë, të dielën në mbrëmje Johnson ka thënë se nuk kandidon edhe pse kishte mbështetjen e nevojshme, pasi “kjo thjesht nuk do të ishte gjëja e duhur për të bërë”, duke shtuar se “nuk mund të qeverisësh efektivisht nëse nuk ke një parti të bashkuar në Parlament”.
“Besoj se kam shumë për të ofruar, por kam frikë se thjesht nuk është koha e duhur”, ka thënë ish-kryeministri Johnson.
Në deklaratën e Boris Johnson, thuhet se ai kishte 102 mbështetës.
“Besoj se jam i pozicionuar mirë për t’u dhënë një fitore Konservatorëve në 2024 – dhe sonte mund të konfirmoj se kam kapërcyer pragun shumë të lartë prej 102 nominimesh, dhe unë mund ta vendos nominimin tim nesër. Ka një shans shumë të mirë që unë të jem i suksesshëm në zgjedhje me anëtarë të partisë konservatore. Por gjatë ditëve të fundit, fatkeqësisht kam arritur në përfundimin se kjo thjesht nuk do të ishte gjëja e duhur për të bërë.”
Kujtojmë se, Sunak ka arritur më shumë se 140 mbështetës të deklaruar, ndërsa Mordaunt ka mbetur prapa me 25.
