Blinkeni lë të kuptohet se ShBA-ja do t’ia heqë Ukrainës kufizimet rreth armëve me rreze të gjatë
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, e ka dhënë shenjën më të fortë deri më tani për heqjen e mundshme të kufizimeve nga Shtëpia e Bardhë që Ukraina të përdorë armë me rreze të gjatë, të dhuruara nga Perëndimi, ndaj caqeve kyçe ushtarake brenda Rusisë. Merret vesh se një vendim tashmë është marrë privatisht.
Duke folur në Kiev pranë homologut britanik, David Lammy, kryediplomati amerikan tha se Shtetet e Bashkuara “nga dita e parë” kishin qenë të gatshme për t’i përshtatur politikat me ndryshimin e gjendjes në fushën e betejës në Ukrainë. “Ne do të vazhdojmë që ta bëjmë këtë” – theksoi ai, raporton gazeta “The Guardian”.
Blinkeni tha se ai dhe Lammy do t’u raportonin “shefave” të tyre – Joe Biden e Keir Starmer – pas bisedimeve të tyre të mërkurën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë sugjeroi se dërgimi i raketave balistike nga Irani në Rusi, që u zbulua këtë javë, e ka ndryshuar të menduarit strategjik në Londën dhe në Uashington. Ky ishte “eskalim domethënës dhe i rrezikshëm”, tha ai.
Kryediplomati britanik shtoi: “Eskaluesi këtu është Putini. Putini eskaloi me dërgesën e raketave nga Irani. Ne shohim një bosht të ri të Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut.”
Burimet brenda Qeverisë së Britanisë treguan se një vendim tashmë ishte marrë për ta lejuar Ukrainën që t’i përdorë raketat me drejtim “Storm Shadow” ndaj caqeve brenda Rusisë, edhe pse nuk pritet që vendimi të njoftohet publikisht të premten, kur kryeministri Starmer të takohet me presidentin Biden në Uashington.
Dy udhëheqësit planifikojnë që të diskutojnë për luftën në Ukrainë dhe për atë se si mund t’i jepet fund konfliktit si pjesë e diskutimit më të gjerë për politikën e jashtme. Nuk është planifikuar ndonjë konferencë për media gjatë asaj që pritet të jetë vizitë e shkurtër, e dyta e Starmerit në ShBA si kryeministër.
Duke folur në Kiev, sekretari Lammy tha se nuk do të zbulojë hollësi të diskutimeve private që do të mund ta ndihmonin Putinin, të cilin e akuzoi për “arrogancë dhe pangopësi”. “Ky është imperializëm. Ky është fashizëm” – tha sekretari britanik./Nacionale