Bjellorusia thotë se luftëtarët e Wagner-it po trajnojnë ushtarë të saj - NACIONALE

Bjellorusia thotë se luftëtarët e Wagner-it po trajnojnë ushtarë të saj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha të premten se luftëtarët e grupit “Wagner” janë duke trajnuar ushtarë bjellorusë.

Kjo ministri publikoi një video, në të cilën luftëtarët e grupit të mercenarëve shihen duke i udhëzuar ushtarët bjellorusë në një qendër ushtarake afër qytezës Osipovichi, rreth 90 kilometra në juglindje të kryeqytetit Minsk, raporton agjencia “Reuters”.

“Luftëtarët e Wagner-it vepruan si instruktorë në një numër të disiplinave ushtarake”- tha Ministria e Mbrojtjes.

Presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, ndërmjetësoi për një marrëveshje me të cilën iu dha fund kryengritjes së mercenarëve më 23 e 24 qershor, kur grupi famëkeq e mori nën kontroll qytetin Rostov në Rusi dhe u nis drejt Moskës, duke rrëzuar disa helikopterë ushtarakë e duke i vrarë pilotët e tyre.

Sipas marrëveshjes, udhëheqësi i mercenarëve, Yevgeny Prigozhin, i ndali luftëtarët e tij dhe u pajtua që të vendosej në Bjellorusi në këmbim të lirimit nga akuza për kryengritje.

Prigozhini nuk është parë në publik që nga 24 qershori, kur u largua nga Rostovi i Rusisë.

Lajme të ngjashme