Bisedimet ShBA – Rusi do të zhvendosen nga Stambolli në Moskë, thotë ambasadori rus - NACIONALE

Bisedimet ShBA – Rusi do të zhvendosen nga Stambolli në Moskë, thotë ambasadori rus

3 ditë më parë

nga NACIONALE

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet dypalëshe do të zhvendosen nga Stambolli në Moskë, tha ambasadori i ri rus në Uashington.

“Rimëkëmbja e marrëdhënieve ruso-amerikane ende ka një rrugë të gjatë” – tha ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Alexander Darchiev, për agjencinë ruse të lajmeve, TASS, transmeton agjencia “Reuters”.

Sipas tij, afrimi i qëndrimeve po ngadalësohet nga i ashtuquajturi “deep state” dhe “skifterët” anti-rusë në Kongresin e ShBA-së.

“Unë mund të konfirmoj se bisedimet e ardhshme të delegacioneve do të ndodhin në të ardhmen shumë të afërt në Moskë” – citohet të ketë thënë ambasadori rus.

Lufta në Ukrainë e nxiti përplasjen më të madhe mes Moskës dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë. Diplomatë të lartë në Moskë e Uashington i thanë agjencisë “Reuters” vitin e kaluar se nuk u kujtohej ndonjë kohë kur lidhjet kanë qenë më të këqija.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e paraqet konfliktin në Ukrainë si luftë prokurë mes ShBA-së e Rusisë dhe kreu i Shtëpisë së Bardhë disa herë ka paralajmëruar për rrezikun që ky konflikt të përshkallëzohet në luftë botërore./Nacionale

Lajme të ngjashme