Bideni paditet në ShBA për “dështim për parandalim të gjenocidit” në Gaza - NACIONALE

Bideni paditet në ShBA për “dështim për parandalim të gjenocidit” në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një grup i i lirive civile në ShBA është duke e paditur presidentin e këtij shteti, Joe Biden, nën akuzën për dështim në detyrën e tij sipas ligjeve amerikane e ndërkombëtare për ta parandaluar Izraelin nga kryerja e gjenocidit në Gaza.

Ankesa e Qendrës për të Drejta Kushtetuese me seli në Nju-Jork në emër të disa grupeve dhe individëve palestinezë pretendon se veprimet e Izraelit, përfshirë “vrasjet masive”, shënjestrimin e infrastrukturës civile dhe dëbimet me forcë, përbëjnë gjenocid, raporton gazeta “The Guardian”.

Sipas kësaj organizate, konventa ndërkombëtare e vitit 1948 kundër gjenocidit kërkon që ShBA-ja dhe shtetet e tjera t’i përdorin fuqinë dhe ndikimin e tyre për t’i ndalur vrasjet.

“Si aleatja më e ngushtë dhe përkrahësja më e fuqishme e Izraelit, duke qenë ofruesja më e madhe e asistencës ushtarake me dallim të madh dhe Izraeli duke qenë pranuesi më i madh kumulativ i asistencës së jashtme të ShBA-së që nga Lufta e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara i kanë mjetet në dispozicion për të pasur një efekt parandalues ndaj zyrtarëve izraelitë që tani po kryejnë akte gjenocidale kundër popullit palestinez në Gaza”- pretendohet në padi.

Përmes padisë së dorëzuar në një gjykatë federale të Kalifornisë kërkohet që ky organ t’ia ndalojë ShBA-së dhurimin e armëve, parave dhe mbështetjes diplomatike Izraelit si dhe një deklaratë se presidentit, sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin, t’u kërkohet që “t’i ndërmarrin të gjitha masat brenda kompetencave të tyre që ta parandalojnë kryerjen e akteve gjenocidale nga Izraeli kundër popullit palestinez të Gazës”.

Në këto masa që kërkohen, përfshihet presioni ndaj Izraelit për t’i dhënë fund bombardimit të Gazës, për ta tërhequr rrethimin e enklavës dhe për ta parandaluar dëbimin me forcë të palestinezëve.

Organizata që e ka paraqitur padinë pretendon se sulmi i Hamasit ndaj Izraelit nuk ofron justifikim ligjor për shkallën e sulmit të Izraelit.

Kjo padi vjen në kohën kur Gjykata Ndërkombëtare Penale po i heton Izraelin dhe Hamasin nën dyshimet për krime lufte. Megjithatë, njohësit e drejtësisë thonë se gjenocidi është krim më i vështirë për t’u vërtetuar dhe e shtrojnë pyetjen nëse presidenti mund të detyrohet që të zbulojë nëse Izraeli është duke kryer gjenocid dhe nëse, rrjedhimisht, ai është i detyruar që të veprojë.

Lajme të ngjashme