Luftime të ashpra pranë spitaleve në Gaza, mijëra njerëz të bllokuar - NACIONALE

Luftime të ashpra pranë spitaleve në Gaza, mijëra njerëz të bllokuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë, kanë njoftuar se betejat rreth spitaleve në Rripin e Gazës kanë detyruar mijëra palestinezë të largohen nga disa prej strehimoreve të fundit në Gazën veriore, ndërsa kanë lënë të bllokuar në spitale pacientë të plagosur rëndë, duke përfshirë të sapolindurit dhe kujdestarët e tyre me furnizime të pakëta dhe pa energji elektrike.

Sipas Associated Press, ushtria izraelite u ka kërkuar palestinezëve që të ikin në jug në këmbë përmes atyre që cilësohen si korridore të sigurta. Por, megjithatë synimi për të ndarë civilët nga militantët e Hamasit ka sjellë një kosto të rëndë, me më shumë se dy të tretat e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të territorit që tashmë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

E ndërkohë që trupat izraelite kanë rrethuar Spitalin Shifa të Gazës gjatë fundjavës, mijëra të tjerë janë larguar, ndërsa qindra pacientë dhe njerëz të zhvendosur kanë mbetur në spitale. Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka bërë të ditur se Shifa “nuk po funksionon më si spital”.

Veç Shifa-s, raportohet se edhe një tjetër spital në qytetin e Gazës, Al-Quds, është mbyllur ditën e dielë për shkak të mbarimit të karburantit. Nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, është thënë se forcat izraelite janë stacionuar në afërsi të spitaleve dhe se po bëhen përgatitje për evakuim të 6 mijë pacientëve, mjekëve e njerëzve të zhvendosur.

Kujtojmë se luftimet tani kanë hyrë në javën e gjashtë, pas një sulmi të Hamasit brenda Izraelit, ku përgjigja e Izraelit ka sjellë numër të lartë të viktimave në Gaza.

Lajme të ngjashme