“ShBA dhe Izraeli po diskutojnë një plan afatgjatë për Gazën”
Ambasadori izraelit në ShBA, Michael Herzog ka thënë se Izraeli është duke menduar për një plan afatgjatë për Gazën dhe këtë çështje është duke e diskutuar me ShBA-në.
Në një intervistë të dhënë për Fox News Sunday, ambasadori ka thënë se “pozicioni izraelit është që palestinezët duhet ta qeverisin veten”, por ai gjithashtu ka shtuar se “qeveria nuk do të mbështesë rolin e një Autoriteti Palestinez siç është aktualisht”.
“Është qëndrimi ynë që palestinezët do të duhet të qeverisin veten. Se cili do të jetë roli i saktë i Autoritetit Palestinez (AP) mbetet për t'u parë, sepse të gjithë e kuptojnë se AP, në përbërjen e aktuale - vështirë se mund të qeverisë Ramallahun. E sigurisht, aq më pak Gazën,”- është shprehur Herzog.
Ai më tej ka shtuar se Autoriteti Palestinez do të duhet t'i nënshtrohet reformave, ndërsa ka theksuar se Izraeli nuk është i interesuar të pushtojë apo të qeverisë Gazën.
“Ne jemi atje për të larguar kërcënimin ushtarak të Hamasit kundër Izraelit dhe aftësinë e tyre për të rindërtuar aftësitë dhe për të goditur vazhdimisht, siç thonë ata se do të donin të bënin. Ky është qëllimi ynë,”- ka thënë Herzog.
Kujtojmë se nga luftimet Izrael-Hamas që nisën më 7 tetor, deri më tani janë vrarë më shumë se 10 mijë njerëz në Gaza.
