Bideni e paralajmëron Izraelin se do t’ia ndalë disa armë, nëse pushtohet Rafahu - NACIONALE

Bideni e paralajmëron Izraelin se do t’ia ndalë disa armë, nëse pushtohet Rafahu

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka paralajmëruar Izraelin se vendi i tij do t’ia ndërpresë furnizimin me disa armë, nëse forcat izraelite nisin një operacion të gjerë tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

“Nëse ata [izraelitët] futen në Rafah, unë nuk do t’i ofroj armët që janë përdorur historikisht për t’u marrë me Rafahun” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë me televizionin CNN, raporton televizioni BBC.

Megjithatë, presidenti amerikan shtoi se ai “do të vazhdojë që të sigurohet që Izraeli është i sigurt”.

Pavarësisht nga kundërshtimi i vendosur dhe i zëshëm i Shteteve të Bashkuara, Izraeli duket i vendosur për të zhvilluar një pushtim të nivelit të lartë të qytetit Rafah.

“Ne nuk do t’i ofrojmë armët dhe predhat e artilerisë” – tha Bideni në intervistën e transmetuar të mërkurën.

Ai më tej tha se ShBA-ja nuk e përcakton situatën e tanishme në Rafah si operacion tokësor. “Ata nuk kanë shkuar në qendra të popullsisë. Çfarë bënë ata është mu në kufi” – shtoi presidenti amerikan.

“Por unë u bëra të qartë [kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu] dhe kabinetit të luftës, ata nuk do ta marrim përkrahjen tonë, nëse në të vërtetë ata shkojnë në këto qendra të popullsisë” – paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Bideni pranoi se armë amerikane janë përdorur nga Izraeli për të vrarë civilë në Gaza.

Sidoqoftë, kur u pyet nëse Izraeli e kishte kaluar , presidenti amerikan tha: “Ende jo.”

Këto janë komentet më të fuqishme të Bidenit deri më tani rreth operacionit të mundshëm tokësor të Izraelit në Rafah dhe e shënojnë herën e parë që ai paralajmëron se ShBA-ja mund t’ia ndalë dërgesat me armë Izraelit.

Ambasadadori izraelit në OKB tha se deklarata e presidentit amerikan është “shumë zhgënjyese”.

“Kjo është një deklaratë e vështirë dhe shumë zhgënjyese për ta dëgjuar nga një president ndaj të cilit ne kemi qenë mirënjohës që nga fillimi i luftës” – i tha transmetuesit publik izraelit ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë shtyrë një dërgesë të mijëra bombave në Izrael dhe kanë thënë se janë duke i shqyrtuar dërgesat e ardhshme.

Të mërkurën, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, e konfirmoi vonimin e dërgesës së bombave – disa prej municioneve më shkatërruese në arsenalin ushtarak perëndimor – përderisa po jepte dëshmi në Senat./Nacionale

Lajme të ngjashme